Të huaj në qytetin e tyre

E kujtojnë si qytetin më të bukur në botë. Aty ku kaluan çdo gjë të bukur në secilin cep të tij. Ndërsa sot, thonë se kanë mbetur vetëm kujtimet nën hije, nga qyteti në të cilin u rritën. Prishtina në syrin e disa prej artistëve, nuk e ka më shkëlqimin e dikurshëm, magji këtë të cilën, sipas tyre, ia ‘vodhën’ ata që e morën për ta mbrojtur…

“Ishte qytet i qetë me respekt më të madh”. Të paktën kështu e mbajnë mend Prishtinën e moçme, disa prej artistëve tanë, të cilët kanë lindur e janë rritur në kryeqytet. Mes nostalgjisë dhe dashurisë për vendlindje Agim Gërguri, Xhejlane Godanci, Bajram Bylykbashi-Poqi e Shkumbin Istrefi kanë folur për Tribuna për të mirat e dikurshme e mangësitë që sot shohin e jetojnë bashkë me qytetin, me të cilin kanë jetuar tash e sa vjet…

Agim Gërguri: Shpresa e vetme rindërtimi i saj

Janë mbindërtimet e shumta dhe prishja e lagjeve të vjetra ato që këngëtarin Agim Gërguri e bëjnë të shoh ndryshimin e parë në qytetin e tij. “Të gjithë ne që jemi rritur këtu e dimë që dikur ka pas më shumë lezet Prishtina. Tani ka ndryshuar shumë”, ka thënë ai në fillim të bisedës, duke shtuar se fajtor për këtë ndryshim në vend të parë është Komuna e Prishtinës. “Së pari komuna e Prishtinës dhe urbanizmi është dashur të marrin masa që mos të bëhen ndërtimet brenda Prishtinës, e sidomos në zona historike të qytetit. Është mbingarkuar me popullatë. Secila lagje është shumë e dendur. Është dashur të zgjerohej në katër anët Prishtina e jo të bëhen mbindërtime, pastaj të prishin shtëpitë e vjetra për banesa, ta ngufasin qytetin siç kanë bërë. Këto gjëra është dashur të bëhen që në fillim. Por askujt nuk i ka interesuar shumë për Prishtinën. Dhe tani është ky kaos që është”.

Ndryshe këngëtari nuk shpreson që Prishtinës mund ti kthehet imazhi. E vetmja mënyrë sipas tij është të rrezohet i gjithë qyteti. “Vetëm nëse merren vesh të gjithë qytetarët ta rrëzojnë të gjithë qytetin e ta ndërtojnë nga fillimi. Ndoshta kështu ndërrohet diçka. Por përsëri kemi problem se nuk mund të kthehen të vjetrat. Janë prishur shumë lagje të vjetra dhe është mëkat”.

I mllefosur në të gjithë ata që, sipas Gërgurit, ia kanë ‘vjedhur’ imazhin e vendlindjes së tij, ai ka theksuar se Prishtinën nuk e ndërron me asnjë vend. “Jo, jo nuk e kisha ndërruar me asnjë vend, edhe pse ka ndërruar shumë. Është vendi im dhe nuk e ndërroj me asnjë vend tjetër. Por më vjen shumë keq pse në kohë nuk janë rregulluar disa gjëra e jo ta lënë kështu pas dore”.

Xhejlane Godanci: Dikur ndjehesha tamam e Prishtinës

Edhe aktorja e njohur Xhejlane Godanci e ka kaluar të gjithë jetën e saj në Prishtinë. Dhe bashkë me jetën në këtë qytet, ajo ruan me xhelozi shumë kujtime që vendlindja i dha, e sot nuk janë më. “E mbaj mend rrugën e korzosë me dy anët e rrugës me blina. I mbaj mend dy lumenjtë e Prishtinës që sot nuk janë. Kur kam dalë dikur në qytet e kam ndjerë veten tamam e Prishtinës. I kam njohur njerëzit. Ka pas më pak. Ndërsa sot ka ndryshuar edhe Prishtina edhe struktura. Kështu që sot po ndihem e huaj në vendit tim”, ka thënë aktorja Godanci, duke shtuar se Prishtina e vjetër i mungon shumë. “Ka qen qytet shumë më i bukur. Tash me këto mbindërtime është ngulfat qyteti dhe mendoj se asnjëherë nuk do t’i kthehet ai imazh. Ndoshta për të rinjtë kjo është OK, por ne që e dimë si ka qenë dikur dhe jemi rritur këtu, na mungon shumë Prishtina e moçme”.

Bb Poqi: Prishtina dikur kishte njëfarë lezeti

Hiq më pak prej kolegëve të tij artist, qyteti i moçëm i mungon edhe Bajram Bylykbashit-Poqit. Për të, secili cep i kryeqytetit ka qenë i njohur dikur. “Ka qenë një Prishtinë më e rregulluar, me shumë më pak vetura, vend i qet ku të gjithë jemi njohur njëri me tjetrin. Sot përveç këtyre është edhe një mungesë tjetër. Po flas si artist. Sot nuk ka kulturë e artë si dukur. Përpara është ditur kush është marrë me muzikë. Ka pas njëfarë rregulli, njëfarë lezeti. Është ditur kush është kush dhe ka pas respekt më të madh”, ka thënë Poçi, i cili shpreson se ndoshta në një të ardhme të largët Prishtinës mund t’i kthehet imazhi i dikurshëm. “Mendoj që do të kalojë një kohë shumë, shumë e gjatë deri sa të rregullohet diçka. Rezultatet po shihen. Tash e sa vjet nuk ka ndryshuar asgjë. Andaj mendoj se shumë kohë na nevojitet që të rregullohet diçka”.

Pavarësisht mangësive të qytetit, rok këngëtari ka theksuar se nuk do ta ndërronte me asnjë qytet tjetër edhe pse Prishtina ku ai është rritur i mungon shumë. “Pavarësisht mangësive që Prishtina i ka sot, unë nuk do e ndërroja me asnjë vend në botë. Kam jetuar në Londër dhe kur jam kthyer në Prishtinë. Më është dukur vendi më i bukur në botë. Është vendi ku kam lindur dhe ku jam rritur. Për atë nuk do ta ndërroja me asnjë qytet tjetër edhe pse më mungon Prishtina që ka qenë dikur”.

Shkumbin Istrefi: Më mungon optimizmi i dikurshëm

Mungesën e Prishtinës së dikurshme nuk e mohon se e ndjen as aktori i mirënjohur Shkumbin Istrefi. Sipas tij Prishtina dikur ka pasur plan dhe kulturë më shumë. “Prishtinën e mbaj mend me pak vetura, jetë më të qetë, ndërtime të organizuara dhe me plan. Ndërsa sot kryeqyteti është më i ndotur, më i zhurmshëm, shërbimet civile jo në nivel, jo kulturë çdo kund”, ka thënë Istrefi, duke mos fshehur që e ndjen mungesën e ritmit të jetës, të kryeqytetit të dikurshëm. “Më mungon ritmi i atëhershëm i jetës në Prishtinë. Po ashtu edhe optimizmi”.

Shpresa e vetme për t’iu kthyer sado pak freskia vendit në të cilin u rrit, sipas Istrefit është. ‘një vizion konkret dhe plan më afatgjatë të realizueshëm. Investime në gjëra që e organizojnë më mirë jetën (kulturën, sportin, etj) bashkëpunim më të afërt me bizneset private dhe iniciativa kreative. Mendoj se mund të krijohej një jetë më e këndshme në Prishtinë”, ka thënë duke shpresuar aktori.

Lajme të ngjashme

Back to top button