Serbët kërkojnë nga UEFA ta hetojë Shqipërinë!

Media dhe portalet serbe kanë nisur një fushatë të egër shpifjesh për të përbaltur dhe njollosur suksesin e kuqezinjve të Kombëtares sonë.

“Telegraf.sr” shkruante dje, se 4 futbollistë armenë janë paguar me nga 500 mijë euro për t’u lënë ndeshjen shqiptarëve, ku gishti vihej mbi portierin Kasparov dhe 3 mbrojtësit e skuadrës armene. Me të njejtën gjuhë shpifjesh dhe akuzash shprehej edhe “B92”.

Sot, “Kurir.sr”, ndërsa vazhdon me akuzat për blerjen e ndeshjes në Armeni nga ana e Kombëtares sonë, ka e shfrenuar fantazinë dhe aludon, që Serbia mund të luajë në “play-off”. Kjo duke iu referuar Dushan Maraviçit, një ish-zyrtari serb të UEFA-s, të cilit duket i ka mbetur ora në vitin 1992, kur Danimarka zuri vendin e ish-Jugosllavisë të përjashtuar nga UEFA, shkruan “Sportal.al”.

Maraviç, që i ditkërka mirë këto punë, shprehet i sigurtë se UEFA do të nisë hetimet për këtë ndeshjen Armeni-Shqipëri. Ai, edhe pse ndihet i keqardhur që ende Danimarka nuk e ka falënderuar, nuk e vë në dyshim përjashtimin dhe masat dragoniane ndaj Shqipërisë, duke i hapur rrugën Serbisë për të luajtur në “play-off”.

Fantazi, apo dashakeqësi serbe? Që të dyja, madje edhe më shumë, që nuk bëjnë gjë tjetër veçse dëshmojnë shovinizmin e tyre primitiv.

Lajme të ngjashme

Back to top button