Rama, deputetëve: Jo militantë në tatime e dogana

Kryeministri i vendit njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, porosit ligjvënësit të mos pranojnë kurrsesi apo mos kërkojnë punësimin e militantëve, sidomos në sektorë të rëndësishëm siç janë tatimet, doganat apo arsimi.

Porosia e kreut të qeverisë u përcoll dje gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Pas deklaratës së hapur për të mbështetur drejtësinë shqiptare pavarësisht personave të prekur, Rama ka vijuar me porositë për deputetët.

 Mbledhja

 Pas zgjedhjes së drejtuesve në dy institucione të rëndësishme siç është Drejtoria e Doganave, Drejtoria e Tatimeve, kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga ligjvënësit që të mos kërkojnë punësime të militantëve në këto sektorë jetikë. Në listën e sektorëve që nuk duhet të pranojë kurrsesi militantë është dhe arsimi.

Mësohet se në mbledhjen e Grupit Parlamentar të zhvilluar me dyer të mbyllura, kreu i ekzekutivit është shprehur se në këtë kohë kur arka e shtetit është tërësisht bosh është e nevojshme që në këto struktura të rëndësishme të emërohen njerëz profesionistë dhe të aftë. Sipas tij, ky qëndrim duhet të mbahet na çdokush pavarësisht kërkesave për punësim që mund të kenë nga militantët e Partisë Socialiste. Rama ka theksuar gjithashtu se në kuadër të premtimeve të dhëna dhe në fushatë mazhoranca e re do të krijojë një shtet dhe nuk do të punësojë njerëz të paaftë sidomos në vende kyçe.

 Meritokracia dhe zgjedhja me konkurse, sipas tij, duhet të jenë parimet bazë për emërimet. Puna e sektorit të doganave, por dhe e tatimeve është konsideruar si thelbësore për të hedhur një hap shumë të rëndësishëm, atë të kalimit të krizës së rëndë financiare në të cilën mazhoranca e re ka gjetur arkën e shtetit. Në listën e sektorëve me rëndësi është konsideruar dhe arsimi i cili është ka qenë shpesh objekt kritikash nga socialistët kur ata ishin në opozitë. Në kuadër të menaxhimit si duhet të këtij sektori dhe krijimit të një stafi profesionistësh është marrë vendimi, pak ditë më parë, për shkarkimin e 12 drejtorëve në Drejtoritë Arsimore Rajonale. 

Vendimi i marrë pas një inspektimi në secilën nga këto drejtori është pasuar dhe shpalljen e vendeve vakante dhe me tej konkursit për të zgjedhur drejtuesit e rinj. Çështja e punësimeve është diskutuar dhe më herët në mbledhjet me dyer të mbyllura të ligjvënësve socialistë.

 Ndërsa Kryeministri Rama ka paraqitur para tyre krizën e rënduar ekonomike dhe mungesën e ndjeshme të financave në buxhetin e shtetit, deputetët kanë kërkuar të zgjidhet çështja e punësimeve në administratë që të mund të përfundojë dhe presioni që ata kanë në mënyrë të vazhdueshme nga militantët. Ndërkohë ligjvënësit kanë zgjedhur mos komentojnë më tej çështjen e zotit Gjika.

Duket se gjithçka ka mbetur tek fjalët e Kryeministrit Rama para medieve. Qëndrim që duket se është mbështetur dhe nga ligjvënësit e tjerë socialistë të cilët nuk kanë komentuar më tej në mbledhje grupi. I vetmi që e ka ngritur këtë shqetësim ka qenë Erjon Braçe, i cili përmes Facebook ka kërkuar hetime të zgjeruara në qytetin e Vlorës sa u përket lejeve të ndërtimit. 

Braçe: Duhet reformë në tregun e punës

 Punësimi është kryefjala e qytetarëve në listën e kërkesave që shtrojnë për Qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. “300 000 vende pune po presim të hapen”, shkruan një qytetar në faqen e Facebookut të nënkryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erjon Braçe, ndërsa ky i fundit përshëndet vendimin e Qeverisë për mbylljen e basteve online. Shqetësim që është përcjellë më tej dhe nga vetë ligjvënësi i selisë rozë. Në një mesazh të bërë dje, Braçe përcjell me shqetësim vdekjen e një punonjësi të sektorit të ndërtimit i cili ra nga skela. 

Në këto kushte sipas tij është një nevojë urgjente një reformë ligjore në tregun e punës. “Prej këtej vjen çdo gjë: pasiguria ligjore e vendit të punës, mungesa e sigurisë teknike në punë, paligjshmëria e pagesave që shpërblejnë punën si dhe pamjaftueshmëria e tyre në raport me punën e kryer, shkallën e vështirësisë së saj, mungesën e sigurimeve shoqërore, shëndetësore, të jetës. Jam i bindur që kushdo tani, por edhe nesër, veçanërisht banalët e politikës që punojnë në zyra të sigurta, ata që kanë lënë këtë treg pune do të thërrasin: ç’bën policia? Por kjo punë nuk zgjidhet me policë! Duhet urgjent reformë ligjore në tregun e punës. Tani!”, – shkruan Braçe.  

Korçë,përçahet e djathta, PDK mbështet kandidatin e PS-së

 Përçahet koalicioni i djathtë në zgjedhjet e pjesshme lokale për kreun e ri të Bashkisë së Korçës, që pritet të mbahen në 3 nëntor. Partia Demokristiane, pjesë e koalicionit opozitar, del në mbështetje të kandidatit të Partisë Socialiste, Sotiraq Filo.

Nënkryetari kësaj force politike në qytetin e Korçës, Edmond Skënderasi gjatë një deklarate për median shprehu mbështetjen e demokristianëve ndaj kandidatit të së majtës. Sipas Skënderasit, ky vendim vjen për shkak të mungesës së alternativave që ofron kandidati i Partisë Demokratike, Sotiraq Stratobërdha. Ndërkohë, që më herët ka qenë Fryme e re Demokratike e cila i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kandidatit të Partisë Socialiste, Sotriaq Filo, për të bashkëpunuar në zgjedhjet bashkiake të tre nëntorit.

 “I bëjmë thirrje FRD-së të lëmë mënjanë ndryshimet ideologjike Të vëmë në plan të parë interesin e qytetarëve korçarë dhe të bashkojmë votat”, – ka thënë Filo gjatë një takimi elektoral në qytetin e Korçës.

 Pas kësaj ftese ish-kandidatja e FRD-së për zgjedhjet vendore në bashkinë e Korçës, Brikena Zeneli tha se ky është një gjest që në thelb ka vlerat e qytetarisë. “Dua te theksoj gjithashtu që kjo ftesë është një dimension krejt tjetër nga sjellja përjashtuese e Partisë Demokratike e cila mbylli dyert e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për kandidaturë e FRD-në.

Në konsultimin me drejtuesit politikë të FRD-së në qendër vendosëm të pranojmë këtë ftesë për bashkëpunim duke vlerësuar detyrën e kryebashkiakut si një mision në shërbim të përparimit dhe zhvillimit të qyteti të Korçës”, – tha Zeneli e cila u përjashtua nga gara në Korçë me vendim të KQZ-së pas kërkesës së Partisë Demokratike. Por qëndrimet e FRD-së duket se nuk janë mirëpritur nga demokratët./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button