Festa e Kurban Bajramit ‘ngushton’ xhepat e dibranëve

Festën e Kurban Bajramit, dibranët në përgjithësi do ta presin së bashku me hallet e krizës ekonomike që ka kapluar xhepat e tyre. Krahas zahireve të tjera për përgatitjen e dimrit, dibranët kanë dalë në treg për të blerë gjërat e nevojshme për festën e madhe muslimane.

Punonjësit e ‘Babush Kompani, thonë se produktet ushqimore blihen  më shumë nga banorë të Qendrës Zhupë dhe Mavrovo-Rostushi, se sa nga Dibra.

“Jemi të vetëdijshëm se kemi krizë të ekonomike në vendin tonë, ndaj dhe këtë e vërejmë më blerjen e ushqimeve dhe produkteve tjera për festën e Kurban Bajramit. Shumica e dibranëve blejnë vetëm sendet elementare, vaj, oriz, sheqer dhe mish pule’,  u shpreh njëra nga punonjëset e kësaj shitore të madhe në Dibër.

‘Dukuria e këtillë është evidente në secilën festë, përveç gjatë stinës verore kur kemi numër të madh të mërgimtarëve nga Amerika dhe Evropa. Çmimet janë të larta sa u takon produkteve të shumta ushqimore,  ndaj dhe dibranët i ikin blerjes së gjërave më kosto të lartë’, u shpreh ajo.
“Krahas përgatitjeve që kemi bë për dimër, turshitë, ajvarin edhe blerjen e drunjve, tash mundohemi në maksimum të arrijmë të blejmë edhe produkte të tjera për këtë festë islame, por e kemi shumë zor pasi që kjo periudhë kërkon shumë harxhime”, u shpreh Bujamin K.

“Jemi të gëzuar por njëkohësisht na brengos fakti që nuk arrijmë dot ta bëjmë më të begatshme këtë festë shkaku i skamjes dhe papunësisë” tha Valon P.

Portalb vizitoi rrugët e Dibrës ku vërehet një gjallëri më e madhe shkaku i festës së Bajramit, njëkohësisht dëgjohen dhe vërejtjet e dibranëve për çmimet e larta dhe të ardhurat e dobta. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button