Ismaili hero në fitoren e parë të Zhelezarecit në UEFA kupë
Futsall ekipi i Zhelezarec, që është dhe kampione e Maqedonisë ka shënuar fitoren e parë në suaza të UEFA fustall kupës, duke e mundur me rezultat 6:3 Aindhovenin holandez. Kampioni i Maqedonisë edhe pse dje kishte përjetuar disfatë, duke u mundur 5:3 nga nikoqirët Sllov-Matik, janë rikthyer në mënyrën më të mirë. Lojtari vendimtarë i ndeshjes u tregua të jetë Taulant Ismaili, i cili në rezultatin 1:1, i kishte dhënë epërsinë skuadrës së tij për të shkuar në pushim me rezultat 2:1.
Ismaili edhe në pjesën e dytë vazhdoi të jetë dominues, duke ngritur lojën e Zelezarecit për ti dhënë skuadrës vetëbesim të madh, pasi që shënoi për rezultat 3:1. Për Zhelezarec nga një gol shënuan edhe Ferid Agushi, Micevski dhe Todorovski, ndërsa goli i pari ishte vepër e Leovskit.
“Kishim shanse të mira edhe në ndeshjen e parë, por një moment pakujdesie na bëri që të pranojmë disa gola të shpejt dhe pastaj me kundërsulme nuk arritëm të kthehemi. Por sot kemi treguar një lojë shumë më të mirë, e që tregon edhe vet rezultati. Natyrisht se jam i kënaqur nga golat e shënuar, por edhe më shumë më gëzon fakti se jemi në garë për vendin e dytë, që është synimi ynë. Besoj se edhe të shtunën po luajtëm një lojë kështu mirë të organizuar, do të arrijmë atë që edhe kemi synim”, ka thënë për Portalb Ismaili.
Me këtë fitore Zhelezarec mbetet me shpresë për të marrë pozitën e dytë që i mundëson kualifikim në Elite Round. Nesër është ditë pushimi për ekipet, ndërsa të shtunën me fillim në orën 15:30 Zhelezarec do të luajë ndeshjen e fundit kundër kampionëve të Finlandës, Sievi. / Portalb /