FSHF konfirmon se nuk do të ketë tifozë serbë në ndeshjen Shqipëri-Serbi

Në ndeshjen e shumë pritur Shqipëri-Serbi që do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena” nuk do të ketë tifozë serbë. Konfirmimi për këtë ka ardhur nga vetë Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), konkretisht nga sekretari i përgjithshëm i këtij institucioni, Ilir Shulku, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai ka mohuar zërat se do të  ketë tifozë serbë në stadium, por sipas tij do të jetë një grup studentësh rreth 70 të tillë, në kuadër të një  marrëveshjeje e iniciuar nga qeveria shqiptare dhe ajo serbe.

FSHF ka bërë të ditur se ka pasur afërsisht 100 mijë kërkesa për bileta nga tifozët e kombëtares shqiptare dhe për këtë ky institucion është detyruar të bëjë përzgjedhje. Ndërkohë shitja online e biletave për ndeshjen Shqipëri-Serbi filloi që më 15 shtator, ku u konstatua një kërkesë e lartë për të siguruar një biletë.

Gjithashtu Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur se janë marrë masa që të mos ketë veprime   që cenojnë mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje.

Ndërkohë kujtojmë se më parë në Federatën Shqiptare të Futbollit është zhvilluar një mbledhje me karakter informues në lidhje me organizmin e ndeshjes Shqipëri – Serbi, ku morën pjesë edhe përfaqësuesi i sigurisë së UEFA-s Keny Scott, si dhe  ambasadori i Republikës së Serbisë në Tiranë, Miroljub Zariç dhe përfaqsues të tjerë të institucioneve shqiptare.

Ndeshja Shqipëri – Serbi, e vlefshme për kualifikimin në kampionatin Europian “Euro 2016” do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena” në datën 08 tetor, ora 20.45.

Lajme të ngjashme

Back to top button