Barca e prekur nga virusi i lëndimeve, mbetet edhe pa Iniestën

Lajme të këqija nga infermieria e Barcelonës për Andres Iniestën. Mesfushori blaugrana pritet të mungojë të paktën 4 javë, pra rreth një muaj, pasi ka dëmtuar bicepsin femoral. Ishte minuta e 59-të e sfidës me Bayer Leverkusen, kur 31-vjecari bëri me shenjë nga stoli duke i kërkuar ndërrimin Luis Enriques edhe pse nuk ishte përplasur me ndonjë kundërshtar. Në këto raste, bëhet fjalë për probleme muskulore që e detyrojnë lojtarin të qëndrojë disa javë jashtë fushave të blerta. Në momentin ndërrimit Iniesta u shfaq tepër i mërzitur madje duke hedhur bluzën përtokë, i vetëdijshëm për kohën që duhet të kalojë në infermieri derisa të riaftësohet plotësisht.

Mendohet se nuk do të jetë në dispozicion të Enriques për katër javë. Për fat të mirë, ndërprerja e shkurtër e kampionateve për shkak të sfidave eliminatore të Europianit bën që të mungojë vetëm në disa ndeshje. Ekzaminimet e mëtejshme do të tregojnë më shumë detaje mbi kohën e riaftësimit. Për momentin te Barca janë të dëmtuar Adriano, Messi, Rafinha, Vermaelen dhe Bravo, të cilëve u shtohet edhe Don Andres, i cili pritet të jetë i gatshëm për El Clasicon që do të zhvillohet në nëntor.

Lajme të ngjashme

Back to top button