Opozita i dërgon letër Ramës

Partia Demokratike, në emër të të gjithë opozitës, ka kërkuar nga qeveria tërheqjen e Aktit Normativ që sipas kreut të saj Lulzim Basha hedh në erë konsensusin e arritur për ligjin e nëpunësit civil. Kjo është përgjigja zyrtare ndaj ftesës së bërë nga kryeministri Edi Rama, e hartuar pas një takimi që zoti Basha ka patur me krerët e partive aleate. Sipas opozitës, një ligj i miratuar me konsensus mund të ndryshohet vetëm me konsensus dhe jo me akte të njëanshme, transmeton TCH.

“Sa i përket argumenteve tona në lidhje me Aktin Normativ, opozita ka folur fare qartë se akti normativ i qeverisë është antikushtetues. Argumentet tona janë bërë publike dhe janë shtjelluar qartësisht edhe në ankimin tonë në Gjykatën Kushtetuese, ankim i cili në vetvete demonstron se opozita e sotme sillet në respekt të plotë të demokracisë dhe shtetit ligjor, në respekt të institucioneve kushtetuese të vendit, ndryshe nga ajo e djeshmja. Ky Akt Normativ është edhe antikonsensual vetiu. Vetë natyra e aktit normativ përjashton edhe dialogun e jo më konsensusin. Siç përcakton neni 101 i Kushtetutës, Akti Normativ nuk mund të ndryshohet nga Kuvendi. Ai ose miratohet ose rrëzohet. Ndaj, ndryshe nga rasti i një projekt-ligji që mund të ndreqet përmes procesit parlamentar, kjo është e pamundur me aktin normativ.”

Për opozitën, ky nuk është kusht, por rruga e vetme siç shkruhet në letër, që të gjehet konsensusi mes palëve: “Në gjithë këtë kontekst, ftesa për të dëgjuar arsyet tuaja se pse kërkoni të prishni konsensusin, vjen dy javë pasi prishjen e konsensusit e keni bërë fakt të kryer përmes Aktit Normativ. Nëse mazhoranca kërkon me të vërtetë të gjejë rrugën e humbur të dialogut dhe arsyetimit me opozitën, atëherë zgjidhja është e thjeshtë dhe evidente: tërhiqni Aktin Normativ me të cilin u shkelmua konsensusi e bashkë me të edhe besueshmëria juaj për t’ju përmbajtur angazhimeve tuaja.”

Në takimin e aleatëve të djathtë ka munguar vetëm kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka.

Lajme të ngjashme

Back to top button