Letër e hapur për Blendi Fevziun

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes për Reforma në PDSH, Arben Taravari, i ka shkruar një letër publike moderatorit të emisionit më të ndjekur në Shqipëri, Opinion, Blendi Fevziut.

Në letrën e tij, Taravari i kërkon Fevziut të ngrejë më shumë zërin për problemet e shqiptarëve në Maqedoni, pasi sipas Taravarit jemi një popull dhe një gjak, raporton Portali Albeu. “Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra e Saranda, janë qytetet që i konsiderojmë tonat, pavarsisht që ndonjëherë na quajnë “maqedonas”! Ne e dimë se çdo zgjedhje politike këtej është përgjegjësi e çdo njërit prej nesh, por nuk do të thotë që duhet të dënohemi nga Dheu Atë apo Dheu Nënë”, shkruan ndër të tjera Sekretari i Përgjithshëm i LR-PDSH, Arben Taravari.

Lexoni letrën e FEVZIUT për Ministren e Brendshme të Maqedonisë në muajin Maj

Ja letra e hapur e Arben Taravarit drejtuar Blendi Fevziut:

I nderuar Zoteri Blendi Fevziu. Këto kohë të egra politike që fakturën e kanë me jetë njerëzish, më kujtohet titulli sa trishtues aq edhe profetik i Ismail Kadaresë, “Ra ky mort e u pamë”…

Ju keni nisur një letër këndej nga anët “tona”, unë po bëj të njëjtën gjë si ju, po ju drejtohem me një letër të hapur. Vetëm se unë e nis drejt atdheut tim!
Së pari ju falenderoj që patët kurajon qytetare të vendosnit para përgjegjësisë një grua që nuk dallon për nga tertipet me Nexhmije Hoxhën, fjalëpakën e krimshumtën, Gordana Jankullovskën.

Së dyti dua që nëpërmjet jush t’iu flas shqiptarëve “andej”, për ne shqiptarët “këndej”.
Ne themi “mirëmëngjes” njësoj si ju, edhe “natën e mirë” e urojmë njësoj. Jemi përndejkur vazhdimisht nga sistemi. Sado që kanë kaluar 14 vjet nga Marrëveshja e Ohrit, ende nuk lejohemi që të flasim lirshëm gjuhën tonë, por ne e flasim!

Jemi qingji i kurbanit për maqedonasit por gjithsesi e ruajmë tufën tonë megjithëse “Bariu” shpesh na ka çuar me duart e tij në gojë të ujkut!

Himni kombëtar i yni është kënga me vargjet e Asdrenit, i njëjtë me tuajin!

Në eurovizion kënga shqipëtare merr gjithnjë pikët maksimale sepse çdo shqiptar voton si një lloj detyrimi kombëtar!
Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra e Saranda, janë qytetet që i konsiderojmë tonat, pavarsisht që ndonjëherë na quajnë “maqedonas”!

Ne e dimë se çdo zgjedhje politike këtej është përgjegjësi e çdo njërit prej nesh, por nuk do të thotë që duhet të dënohemi nga Dheu Atë apo Dheu Nënë!

Maqedonia, e ndoshta Serbia, e pse jo edhe Rusia, janë lojtarë të fortë për disa shpatulla të brishta të shqiptarëve, dua të them të paktën te neve këndej! Ne nuk mund të bëjmë asnjë diplomaci në favorin tonë, se ne jemi Populli i Nënshtruar! Jo se nuk dimë, po nuk na lejojnë! Flisni ju për ne!

Ndër shekuj kemi treguar se jemi ndarë në momentet më kyçe të historisë, le të tregojmë se dimë të bashkohemi në data, muaj dhe vite si ky!

I nderuari Blendi, ju jemi mirënjohës Juve, kolegëve tuaj, dhe çdo shqiptari të ndershëm që shqetësohet për ne!
Vazhdoni bëjeni! Ndërgjegjësoni botën se në Maqedoni ka shumë shqiptarë që janë trajtu deri tash si pakicë, e ndër pakica ajo më pak e dashura!

Ju nuk jeni as më të zgjuar dhe as më të mangët se ne në logjikë, por ju jeni të lirë, kurse ne Jo, i dashur miku im!
Liria është forca më e madhe e individit, ne nuk e kemi, shumicën se na e kanë marrë, pak se e kemi dhënë, por tashmë që gjaku im-juaj po derdhet rrugëve të Kumanovës, nuk është më çështje! Çështje është që ne nuk kemi Lirinë!
Ju e keni, ndoshta jo sa ju do të donit, por në krahasim me ne, më besoni se e keni!

Maqedonasit mbrohen nga deklarata zyrtare të Serbisë e Rusisë! Deklarata që ngurojnë të kërcënojnë me luftra ballkanike! Kurse ne nuk duam luftë, kurrsesi, jo vetëm se luftën e fillojnë kryesisht mendjet patologjike, po edhe sepse, ne e dimë apriori, viktimat jemi ne! Ju, nisët me një veprim të moçëm siç është shkrimi i një letre, një kushtrim nga Dheu At’!

Ne u mbrojtëm nga një letër e juaja, drejtuar një ministreje që për ironi të fatit të mirë sapo u kuptua që ka dhënë dorëheqje!

Epo të shtohen letrat, thirrrjet, kushtrimet, të tregoni se asnjë shqiptar jashtë atdheut nuk është shqiptar jetim!
I nderuari Blendi, kjo është një letër falemnderuese, po aq sa është apeluese. Kini mendjen nga ne! Tregojini botës që ne, gjaku juaj, shqiptarë me fis e me farë, që jetojmë në këto toka që i quajnë me emra sherrxhinj si Maqedoni, nuk janë as vrasës e as kriminel, por janë njerëz shumë të mirë, që jetojnë nën regjim totalitar, nga më të egrit në Europë që ende vazhdon!

Sot në vitin 2015, po bëhet gjenocid i pastër në mes të ditës, në Ballkanin e çuditshëm, po lemerisen e tmerrohen fëmijë, pleq, gra e burra, vetëm se janë shqiptarë! Shqiptarë si ju atje, por qëlluan në tokën e tyre, në kohën e gabuar!

Kam edhe shumë për të thënë, por letrat duhet të jenë të shkurtra kryesisht!

Po të kërkoj e pretendoj të vazhdosh e të mbrosh tokën e gjakun tënd Blendi, ty dhe mijëra shqiptarëve, detyrë të cilën çdo vëlla i ndershëm duhet ta bëj për vëllanë, tek e fundit çdo individ për individin!

Tregojini botës se na përndjekin, diskriminojnë, burgosin pa të drejtë, na dënojnë me dënime maksimale pa se nuk iu pëlqejnë emrat tanë, na rrahin fëmijët nëpër shkolla.
Koret raciste që ju dëgjuat në stadiumin e Beogradit, ne jemi mësuar t’i lexojmë shpesh në mure lagjesh, mure qytetesh, e mure shteti!

Ngrini zërin për ne!

Tash thonë që po bien mitet e egra të Regjimit Grueskian, nuk e dimë sa është faktura që do paguajmë!
Priten që sllavë të drejtojnë vendin, mos qofshin Zeus të tërbuar që kur luajnë shah përdorin shqiptarët si ushtarë!
Letrat zakonisht shkruhen udhëhequr nga motive të forta, qofshin motive negative, qofshin pozitive!
Unë ndjej që shkruaj drejt vëllait tim, ndoshta kështu do ndjehej Fishta, Noli, Konica, dhe Kadareja!
Falenderoj Zotin që kam se kujt t’i drejtohem!
Faleminderit Blendi!
Faleminderit nga shqiptarët këndej, i njëjti popull, gjak, komb!

Lajme të ngjashme

Back to top button