Adili: Nuk kursehemi për të marrë fitoren e radhës
Futbollistët e FC Shkupi këtë të diele i pret edhe një ndeshje në transfertë e që nuk do të jetë aspak e lehtë, për faktin se skuadra vazhdon të përballet edhe më tutje me disa futbollistë të lënduar, e që bukur mirë ka prekur boshtin e ekipit të parë.
Kundërshtari i radhës është ekipi i Mlladost CD, që së bashku me Shkupin u promovua në anëtar të Ligës së Parë, ndërsa këtë sezon ka pasur disa ndeshje të mira dhe është treguar si ekip stabile. Por Shkupi edhe këtë ndeshje do të udhëtojë për të kërkuar maksimumin e pikëve.
Mbrojtësi Mevlan Adili deklaron se me një angazhim maksimal në fushë pret të dalin fitues nga kjo përballje.
“Siç e dimë këtë vit kemi filluar mirë dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu deri në fund të kampionatit. E kemi parasysh se do të përballemi me një kundërshtar të mirë, po me një angazhim maksimal dhe me agresivitet në fushë do të dalim fitues. Dua të ceki se ne jemi si një familje në klub dhe kjo më bën krenar dhe me jep motiv shtesë për të nxjerrë edhe atomin e fundit nga vetja. Atmosfera në klub është e mirë dhe një gjë duhet të dimë, që siç thotë trajneri ynë Zekirija Ramadani se kjo fanellë nuk dhurohet, por fitohet dhe kur të fitohet duhet ta mbrojmë me luftë në fushë që mos ta humbim”, deklaroi mbrojtësi Mevlan Adili.
Trajneri Ramadani edhe për këtë ndeshje do të përballet me mungesa dhe futbollistë të lënduar. Edhe më tutje mbeten jashtë ekipit Eresen Asani dhe Miran Maksuti, ndërsa deri të mërkurën nuk ka stërvitur Dimitrija Lllazarevski i cili ishte lënduar në ndeshjen me Sileksin. Gjithashtu nga e premtja stërvitjeve i janë bashkuar edhe Ardian Nuhiu e Mevlan Murati, e për të cilët Ramadani kë thënë se do të vendosin nëse do të jenë të gatshëm për lojë vetëm para ndeshjes.
Skuadra e Shkupit që sot pas stërvitjes së pasdites niset për në Strugë, ndërsa ndeshjen kundër Mlladost CD do ta luajë nesër (e diel) në Ohër, me fillim prej orës 15:30 minuta. /Portalb /