Mehmeti: Figurat kyçe të përgjimeve të ballafaqohen me drejtësinë

Deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti e ftuar në emisionin “10 minuta” në TV21, u është përgjigjur disa pyetjeve në lidhje me gjendjen dhe krizën politike në Maqedoni.

Ermira Mehmeti rastin e sheh si konfuz në lidhje me zgjedhjen e prokurorit special sipas parimit të Badenterit.

“Ka një konfuzion! Po të doja të jem ironike, do të kisha thënë, maqedonasit etnik paskan reflektuar shumë dhe qenkan liberalizuar aq shumë sa që na paskan lejuar neve si shqiptarë që të bëjmë një avancim në kuptimin e zbatimit të parimit të Badenterit pa qenë ajo e parashikuar me ligj! Kjo nuk është kështu në fakt. Ligji për prokurorin special të cilin e kemi votuar në parlament, i cili u soll me konsensus mes 4 partive më të mëdha politike, në fakt parasheh 2 dispozita, të cilat e rregullojnë zgjedhjen, gjegjësisht dy nene, të cilat e rregullojnë zgjedhjen e prokurorit special. Njëri është neni i cili e rregullon zgjedhjen me votim të dyfishtë, pra me parim të Badenterit në parlament, dhe pastaj edhe votimi nga ana e këshillit të prokurorëve, po ashtu me Badenter. Kështu që kjo është situata reale. Dhe, unë mendoj se ajo çfarë u bë këto ditë, si lajm bombastik është pak a shumë një lloj spekulimi apo një lloj konfuzioni’, tha Ermira Mehmeti.

Mehmeti për mungesën e saj në Maqedoni, gjatë kohës që ka jetuar në SHBA, e arsyeton se aktiviteti politik mund të bëhet dhe duke mos marrë pjesë fizikisht në proces.

“Unë besoj se aktiviteti politik – për dallim ndoshta nga profesionet e tjera – është një sferë, një dimension, një preokupim! Apo profesion, i cili nuk nënkupton vetëm pjesëmarrje fizike në proces. Kemi shumë politikan të cilët fizikisht mund të marrin pjesë në proces, por nuk e di sesa realisht ata janë përmbajtjesor. Ndërkohë që, unë vetes i kam dhënë një detyrë që me politikën të merrem në mënyrë përmbajtjesore, të argumentuar, përherë të flas për gjërat për të cilat besoj, në frymën të cilën e besoj, dhe me sa më pak konjukturalizëm, dhe sa më pak oportunizëm. mendoj se gjeneratës së re i nevojitet kjo lloj fryme në politikë, për të rikthyer besimin tek politika, i cili realisht është i lëkundur”, tha Mehmeti.

Në lidhje me punën e prokurorit special, Mehmeti ka thënë se me zgjedhjen e saj, nuk janë zgjedhur problemet, por vetëm se është hapur një kapitull i ri, ndërkaq të gjithë të pë cilat janë të përfshirë në aferën e përgjimeve duhet të përgjigjen para drejtësisë.

Përqendrimi im është ky: Në fakt, vetëm me aktin e zgjedhjes së prokurores speciale, ne nuk mund të pretendojmë se drejtësia është e kënaqur. Nuk mund të pretendojmë se është zgjidhur çështja. Përkundrazi, unë besoj se kapitulli vetëm sa është hapur. Dhe puna më e vështirë vijon në muajt në vijim. Unë besoj se detyra, funksioni dhe roli i prokurores speciale nuk do të jetë i justifikuar, poqë se ne nuk shohim të ballafaqohen me drejtësinë disa nga figurat kyçe në skandalet e përgjimeve. Dhe, unë besoj se opinioni e di se për kë e kam fjalën, dhe nuk do të kishte nevojë që përsëri të përsëris apo të specifikoj me emra. /Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button