Celta nuk e njeh Barçen (Video)

Celta Vigo është kryesuesja e re e La Ligas. Skuadra nga Balaidos bëri surprizën e madhe, jo vetëm me vendin e parë në renditjen e Primeras por dhe me fitoren 4-1 ndaj Barcelonës, të cilën e luajti duke bërë pikërisht atë që përgjithësisht bën Barcelona, duke dhuruar spektakël pavarësisht se përballë kishte një skuadër, që në fushë kishte hedhur një treshe si Neymar-Messi-Suarez. Megjithatë tridhëmbëshi i vërtetë rezultoi ai i formuar nga Aspas, Nolito dhe Guidetti. Ndeshja e Barcelonës, mori tatëpjetën pikërisht pas një perle të Nolitos, që në të 26-tën realizoi parabolën perfekte me një goditje që nxori jashtë loje dhe një shtatëlartë si Ter Stegen.

Një tjetër parabël në të 30-tën, por këtë herë e Aspasit, e shndërroi ndeshjen e Barcelonës në një malore të pakapërcyeshme, pasojë dhe e futbollit dehës të formacionit të Berizos, që në fillimin e pjesës së dytë i vuri vulën 3 pikëve dhe me golin e dytë të Aspasit.

Sikur të mos mjaftonin goditjet ballore në fushë, katalanasit e morën një goditje pas shpine dhe në të 75-tën, me Gomezin që i lëshoi një grusht në kurriz Suarezit, të cilin uruguajani vështirë se do ta harrojë. Një shpresë të vakët, blaugranave ja ndezi Neymar me golin e 3-1, por një kundërsulm fantastik i Celtës, coi drejt golit të 4-1 Guidetin.

4-1 ishte rezultati përfundimtar, por jo për Barcën, por për Celtën, që për një mbrëmje bën Barcën në fushë dhe Barcën dhe në renditje, kur kryeson tashmë Primera Divizion të Spanjës.

Lajme të ngjashme

Back to top button