Egjipt, Sisi fal me dekret dy gazetarët e Al Jazeera-s

Presidenti i Egjiptit, Abdel-Fattah al-Sisi sot fali dy gazetarët e Al Jazeera-s, Mohamed Fahmi dhe Baher Mohamed, të cilët ishin dënuar me tri vjet burg këtë muaj, për shkak se, siç thuhet në vendimin e gjykatës për “përhapje të lajmeve të pavërteta”, raporton Anadolu Agency (AA).

Fahmi, shtetas kanadez i cili hoqi dorë nga shtetësia egjiptiane, dhe kolegu i tij, Baher Mohamed janë falur me dekret presidencial të cilin e ka firmosur Sisi, ndërsa në listë ndodhen emrat e një numri të madh të aktivistëve të burgosur për shkak të shkeljes së ligjit të protestave.

Fahmi dhe dy gazetarë të Al Jazeera-s, egjiptiani Baher Mohamed dhe Peter Greste nga Australia janë dënuar me nga tri vjet heqje lirie në rigjykimin e këtij muaji.

Përveç për “përhapjen e lajmeve të pavërteta” janë dënuar edhe për mbështetje të Vëllazërisë Muslimane. Greste në janar është deportuar në Australi.

Tre gazetarët fillimisht janë arrestuar në Kajro në vitin 2013, pasi autoritetet e Egjiptit ndaluan veprimtarinë e Vëllazërisë Muslimane, lëvizje kjo e presidentit egjiptian të rrëzuar me grusht ushtarak, Muhammed Mursi, e cila u shpall si “organizatë terroriste”.

Një numër i madh i qeverive të vendeve perëndimore të cilat angazhohen për të drejtat e njeriut kanë bërë thirrje për lirimin e gazetarit në muajt e kaluar, duke iu bashkuar në këtë mënyrë fushatës të cilën e ka udhëhequr shtëpia e tyre amë Al Jazeera.

Qeveria e Egjiptit akuzoi Al Jazeera-n, selia e së cilës është në Katar, se po punon në interes të Vëllazërisë Muslimane, gjë të cilën ky televizion e mohon.

Lajme të ngjashme

Back to top button