“Rrjeti i Veprimit për Qeverisje të Mirë” promovon shoqëri civile aktive për pjesëmarrje në qeverisje të mirë

Promovimi i një shoqërie civile dinamike, e cila në mënyrë efektive i mobilizon qytetarët për pjesëmarrje aktive në qeverisje të mirë dhe transparencë është qëllimi i projektit “Rrjeti i Veprimit për Qeverisje të Mirë”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe implementuar nga Fondacioni Metamorfozis në bashkëpunim me Qendrën maqedonase për arsim evropian (QMAE) dhe Reaktor – Hulumtimi në aksion.

Në konferencën përfundimtare të këtij projekti, euroambasadori Aivo Orav theksoi se shoqëria civile ka një rol shumë të rëndësishëm në lidhjen e qytetarëve dhe politikanëve, duke shtuar se ai është një aktor kryesor për dialog mes institucioneve shtetërore dhe qytetarëve.

“Një shoqëri e fortë civile është komponenti më i rëndësishëm në një vend dhe kjo duhet të njihet nga Qeveria. Raporti tregoi nevojën për pjesëmarrje më të madhe të sektorit joqeveriar në krijimin e politikave dhe në vendimmarrje”, tha Orav në konferencën e sotme.

Sipas tij, projekti u lejon organizatave që të angazhohen në këtë proces, të ndikojnë në komunitet dhe të kontribuojë në zhvillimin e shoqërisë civile.

Bardhyl Jashari, drejtor i fondacionit “Metamorfozis”, një prej partnerëve të projektit “Rrjeti i Veprimit për Qeverisje të mirë”, informon se ideja për këtë projekt ka filluar pas promovimit në disa veb faqeve të Qeverisë, të cilat, siç tha ai, ishin përpjekje për të angazhuar edhe organizatat joqeveritare dhe të gjithë të interesuarit të kontribuojnë me komentet dhe vërejtjet e tyre në procesin e marrjes së vendimeve dhe të ligjeve.

“Kemi vërejtur se shumë organizata joqeveritare dhe qytetarë ishin dekurajuar për të përdorur ato sisteme, sepse ishin të ndërlikuara. Të gjithë ne, partnerët e projektit besonim se duhet të gjejmë një model që do të jetë i thjeshtë dhe i lehtë për t’u përdorur nga qytetarët. Kemi zgjedhur telefonat celularë për shkak se shumë përdoren në Maqedoni”, tha Jashari.

Kemi bërë një aplikacion i cili, siç tha ai, lejon të gjithë qytetarët në një mënyrë shumë të thjeshtë, “po”, “jo”, “pajtohem” ose “nuk pajtohem” të shprehin pikëpamjet e tyre mbi gjëra të rëndësishme që ndodhin, dhe për të cilat merren vendime, në nivel qendror dhe lokal.

Qëllimi i projektit Rrjeti aksional për qeverisje të mirë është promovimi i shoqërisë civile dinamike që në mënyrë efektive i mobilizon qytetarët për përfshirje aktive në qeverisjen e mirë dhe transparencë, si dhe ndikim në proceset e vendimmarrjes në nivel lokal dhe kombëtar.

Në kuadër të këtij projekti janë ndarë 16 grante të vogla për organizatat qytetare që e formojnë Rrjetin aksional për qeverisje të mirë, e cila paraqet platformë për bashkëpunimin e organizatave qytetare, iniciativave joformale dhe individëve që punojnë në fushën e qeverisjes së mirë, si një nga parakushtet kryesore për demokratizim të shoqërisë dhe përparim në integrimet euro-atlantike të RM-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button