Izet Mexhiti dhe Valon Saraçini takohen me Valiun e Bursës, Vedat Mufuollu

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti dhe ministri i Ekonomisë i Republikës së Maqedonisë, Valon Saraçini dje qëndruan në vizitë pune në qytetin industrial të Bursës, në Turqi. Atje realizuan takime me valiun e Bursës, Vedat Muftuollu, me kryetarin e Bursës, me kryetarin e Odës së tregtisë dhe industrisë së Bursës dhe me afaristë-investues potencial nga ky vend.

Gjatë takimit me valiun e Bursës u konstatuan marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve, dhe u diskutua që të gjenden mënyra, që shkëmbimi mes dy vendeve, i cili gjatë tetë muajve të parë të këtij viti arrin 500 milionë euro, të rritet shumë më tepër.

Valiu i Bursës, Vedat Mufuollu tha se Bursa është qyteti i katërt për nga madhësia në Turqi, por i dyti për nga sasia e eksportit. “Shtatëqind mijë banorët që janë me prejardhje nga rajoni juaj, janë urë e fuqishme e bashkëpunimit mes dy vendeve”, theksoi Mufuollu.

Gjatë takimit me kryetarin e Bursës, ministri Saraçini propozoi që Maqedonia të bëhet qendër e shpërndarjes së mallrave turke drejt Bashkimit Evropian. Gjatë vizitës në Odën ekonomike të tregtisë dhe industrisë, ministri Saraçini, pyeti afaristët turq se çfarë kërkojnë nga Qeveria e Maqedonisë dhe ministria e Ekonomisë që të investojnë në Maqedoni.

“Une si përfaqësues i Qeverisë së Maqedonisë, erdha këtu të dëgjoj se cilat janë vështirësitë dhe problemet me të cilat përballen investuesit, të cilët duan të vijnë në Maqedoni, në mënyrë që të ndërmarrim hapa për largimin e tyre dhe të krijojmë kushte për investime,” tha ministri Saraçini.

Kryetari i komunës se Çairit, Izet Mexhiti paralajmëroi ardhjen e një grupi afaristësh turq, së shpejti në Shkup. “Pas takimit, një delegacion i madh i biznesmenëve nga Oda e tregtisë, ku disa prej tyre janë me origjinë nga Maqedonia dhe kanë dëshire të madhe për të investuar, do të vijnë në Shkup, ku do t’i presim me ministrin Saraçini dhe do t’i mbështesim duke u krijuar kushte për investime”, tha Mexhiti.

Gjatë qëndrimit në Bursë, ministri Saraçini kërkoi që ministria e Ekonomisë dhe Oda e Tregtisë e Bursës të financojnë  ardhjen e studentëve nga Maqedonia gjatë verës në Bursë, dhe këta të rinj të bëjnë këtu punën praktike, drejtpërdrejtë në kompani të mëdha, siç janë, fabrikat për prodhimin e automobilave, etj. 

Lajme të ngjashme

Back to top button