Shqipëri-Serbi, ja truket e (mos)shitjes online të biletave

Që në shpërndarjen e biletave për ndeshjen Shqipëri-Serbi do të ketë kontroll të rreptë, kjo dihej.

Po ashtu, që do të bëhej përzgjedhje e atyre që do të kishin fatin ta merrnin një të tillë, edhe kjo është mësuar ditët e fundit.

Por që të përdoret një truk i FSHF-së, për “të larë duart” si Ponc Pilati në këtë çështje, duke thënë se hodhi për shitje biletat online, por ato “avulluan” për 3 orë, kjo nuk ka shumë hije në raportin me tifozët e kombëtares.

Këta të fundit, sikurse dihet, janë shpirti i kuqezinjve, nuk kanë ngurruar t’i mbështesin idhujt e tyre deri në fund të botës, ndërsa tani zëvendësohen me zyrtarë, miq, shokë e të afërm të drejtuesve të FSHF-së, qeveritarëve, deputetëve, avokatëve, gjyqtarëve e prokurorëve.

Më konkretisht, dje pasdite u njoftua për daljen në shitje të biletave të kësaj ndeshjeje të shumëpritur. Vendi i blerjes, ai i zakonshmi: te faqja e FSHF-së, në mënyrë online.

Mirëpo, pas 3 orësh, biletat kanë mbaruar. Në vendin përkatës ka dalë shënimi “Unavailable on line”.

Në fakt, në njoftimin e FSHF-së, se nisi shitja e biletave online, ditën e djeshme, 15 tetor 2015, shkruhet se ky proces do të përfundonte më 10.07.2015, ora 11:59, ndërsa si datë e nisjes së këtij procesi figuron 8 tetori 2015, ora 20:45 (????).

E vërteta është krejt ndryshe dhe për këtë janë të gjithë koshientë. Biletat janë bërë të aksesueshme online, në faqen e federatës, vetëm dje, rreth orës 16:00.

Pas tri orësh, ka dalë njoftimi “Unavailable on line”. Pra, biletat janë të padisponueshme online.

Mësohet se rreth 300 bileta janë shitur në këtë mënyrë, ndërsa pjesa tjetër do të shpërndahet “nën dorë” e me porosi nga vetë drejtuesit e FSHF-së.

Shumë institucione shtetërore, ministra, qeveri e organe ligjzbatuese në vend kanë prenotuar numër të konsiderueshëm biletash, që do t’u shpërndahen më pas personave të interesuar, të cilët me siguri do të jenë spektatorë të “gdhendur” në stadium, vetëm për të parë, por për të bërë tifozllëk, kjo do të jetë shumë e vështirë.

Tifo-grupit “Tifozat Kuq e Zi”, si herët e tjera, do t’i dorëzohen biletat dorazi, rreth 1500 të tilla.

Ato duhet të jenë të personalizuara, që korespondojnë me emra të përveçëm, së bashku me numrin e kartës së identitetit apo pasaportës.

Blerësit e tyre do të kalojnë një “skanim” edhe nga SHISH e Policia Shqiptare, me qëllim që ata që paraqesin probleme të mos lejohen të hyjnë në stadium.

Në lidhje me këtë sjellje “dribluese” të FSHF-së kanë reaguar edhe tifozët në internet.

Konkretisht, në “Faqja zyrtare e kombëtares shqiptare” në Facebook shkruhet: “Ajo që bën habi është fakti se faqja online e FSHF-së funksionon normalisht, ndërsa faqja e shitjes së biletave nuk funksionon, ndonëse të dyja ndodhen në njëjtin server.

Dhe, nëse njëra prej tyre bie, duhet të bjerë dhe tjetra. Tifozët, ndonëse presin me padurim të blejnë biletat për ndeshjen Shqipëri­Serbi, e kanë të pamundur ta bëjnë këtë online, ndaj shtrojnë pyetjen: Pse ndodh me faqen online të FSHF-së?

Ndërkohë, nëse qëllon ta hapësh atë, atëherë shihet se nuk ka bileta online, sepse ato janë shitur të gjitha!

Jemi dakort të ketë kontroll dhe të hyjmë me pasaporta, por të mbushet stadiumi vetëm me ministra e fëmijët e tyre, që nuk shohin futboll kurrë, në një ndeshje me Serbinë, ky është turp.

Ato mijëra supertifozë, që do të ishin të gatshëm të paguajnë shuma të mëdha vetëm për të parë kombëtaren, që nga kosovarët deri tek ata jashtë shtetit, nuk mund ta ndjekin, sepse nuk të lënë tipa që s’dinë gjë çfarë do të thotë të mbështesësh kombëtaren”.

Çmimet e biletave për këtë ndeshje janë si më poshtë:

Tribunat C2, G2 = 1.000 lekë

Tribunat C1, C3, G1  = 1.500 lekë

Tribunat D, F  =  2.000 lekë

Tribuna E   = 3.000 lekë

Tribunat B1, B5  =  6.000 lekë

Tribunat B2, B4, A1, A4  = 8.000 lekë

Tribuna A2, A3, B3  = 10.000 lekë

/Marrë nga Telesport/

Lajme të ngjashme

Back to top button