De Biasi gjen edhe një punë

Nuk ka rinovuar me Shqipërinë, ka humbur me Portugalinë, por për trajnerin e Kombëtares shqiptare të futbollit, Gianni De Biasi, një ditë pas disfatës së fundit, ka “dritë në fund të tunelit”, teksa ka firmosur një kontratë të re në Itali më RAI-n për edicionin e ri në emisionin sportiv “Novantesimo Minuto” (Minuta e 90-të), në rolin e opinionistit, që transmetohet çdo të diel në orën 17:00.

Në panel, trajneri i Shqipërisë do të jetë përkrah emrave të njohur të futbollit italian, si Cesare Prandelli, Alberto Malesani apo Corrado Orico, transmeton telesport.

Pas firmosjes së kontratës së re, tekniku i natyralizuar si shqiptar, u shpreh “Do të jetë pak e vështirë për shkak të distancës që do të më duhet të krijoj herë pas here me udhëtimet e mia në Shqipëri, por pjesëmarrja do të jetë 100%”.

Në fakt, De Biazin nuk e pengon kjo, sepse kur luajnë kombëtaret, ditën e diel nuk ka emision, kështu që De Biasi mund të angazhohet i qetë me kuqezinjtë.

Zyrtarisht, De Biasi ka edhe dy sfida për të drejtuar Shqipërinë, por nëse Kombëtarja shqiptare do të renditej e treta në grup, atëherë në nëntor teknikut italian do t’i shtoheshin edhe 2 sfida të tjera në axhendën e tij, që përkojnë me “play-off”-in për pjesëmarrjen në “Euro 2016”.

Lajme të ngjashme

Back to top button