Mbi 10 mijë persona në Bavari

Gjermania ka shpenzuar rreth 6 miliardë euro për mbështetjen e numrit rekord të emigrantëve. Sipas gazetës “Frankfurter Allgemein Zeitung”, kjo shifër deri në fund të vitit mund të shkojë diku tek 9 apo 10 miliardë euro.

Në muajin korrik, në një seancë të posaçme të mbajtur nga Parlamenti gjerman u parashikua një buxhet prej 5.6 miliardë euro për rreth 450,000 kërkesa për azil që mendohet se do të paraqiteshin këtë vit.

Por në dritën e fluksit të fundit masiv të refugjatëve, Gjermania pret tani deri në fund të dhjetorit, të vërshojnë rreth 800.000 vetë.

Ndërkohë, 18 mijë kaluan kufirin vetëm gjatë kësaj fundjave. Numri i emigrantëve të mbërritur vetëm në Bavari të dielën fillimisht u llogarit në 5.000, por në fund, rezultoi dy herë më i lartë se kaq.

Sipas medieve ndërkombëtare, pjesa më e madhe, udhëtimin nga Hungaria e bënë me trena apo autobusë, ndërsa pati dhe nga ata që rrugën deri në Austri, e përshkuan në këmbë.

Një ditë më parë Mynihu priti me mijëra emigrantë. Një pjesë iu dhanë shtretër për të kaluar natën në ato që njihen si qendra fillestare të pritjes. Të tjerë e vazhduan rrugëtimin që çoi 570 prej tyre në Saafeld të Turingisë dhe mbi 350 vetë në kryeqendrën e Saksonisë, Dresden.

Gjithashtu, me dhjetëra azilkërkues u dërguan në Berlin, Hamburg, Frankfurt dhe Dortmund. Pritja emocionuese e bërë emigrantëve në Mynih pati jehonë në mbarë vendin. Zbritja nga treni u shoqërua me duartrokitje dhe vendasit e mbledhur në platforma u dhuronin ushqime, pije të ngrohta e lodra për fëmijët.

Gjermania dhe Austria vendosën të shtunën hapjen e kufijve të tyre, çka bie ndesh me politikat europiane sipas të cilave, kush kërkon azil, duhet të aplikojë në vendin e parë të BE-së ku ka vënë këmbë.

Lajme të ngjashme

Back to top button