MSH: Uji për pije në Xhepçisht të Tetovës mund të pihet

Në fshatin Xhepçisht, një nga zonat e Tetovës që u përfshi nga vërshimet, pas mbarimit të pastrimit dhe dezinfektimit të tankeve, uji është i sigurt për përdorim, në fakt mund të përdoret edhe për pije, njofton Ministria e Shëndetësisë.

MSH rikujton rekomandimet për mbrojtjen e shëndetit qytetarëve të kësaj zone, për përdorimin e ujit të ambalazhuar, vluar apo të dezinfektuar, për larjen e dhëmbëve, larjen dhe përgatitjen e ushqimit, por edhe për larjen e enëve.

“Kështu që, ena duhet të vlojë në ujë (10 minuta), pastaj të largohet dhe të lihet për t’u ftohur, në ujë nuk duhet të futet akull, duhet të lahen duart me sapun para dhe pas përgatitjes së ushqimit, gjatë kontaktit me fëmijë dhe pas shkuarjes në tualet”, thonë nga MSH.

“Rekomandohet që të mos përdoret ushqimi i cili është prekur nga vërshimet, të mos përdoret ushqimi i cili ka qenë në frigorifer apo ngrirës, nëse rryma ka është shkyçur, ushqimet e ziera dhe tjera lloje të ushqimeve që mund të prishen duhet të ruhen në frigorifer (rekomandohet të ruhen në temperatura nën 5 gradë Celsius), çdo ushqim për nga temperatura e gatimit duhet të përgatitet mirë (rekomandohet në temperaturë mbi 70 gradë Celsius), ndërkaq ushqimi i gatuar të mos lihet më gjatë se dy orë në temperaturë dhome”, thuhet në kumtesën e MSH-së.

“Në rast të paraqitjes së simptomave të para, të përzierjes, vjelljes, diarresë, apo të ngjashme me gripin, temperaturë të lartë, kokëdhembje, kollitje ose marramendje, apo sikur gjatë kafshimit të ndonjë kafshe dhe të ngjashme, personat duhet menjëherë të drejtohen te mjeku amë apo në shërbimin kujdestar”, lajmëron Ministria e Shëndetësisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button