Humbja e paketuar si fitore

Sikur Marrëveshja e Ohrit të ishte realizuar germë për germë, sot do të ishte një dokument me të cilin do të merreshin historianët. Ne ende merremi me interpretimin e Marrëveshjes që i dha fund konfliktit të 2001-it, por jo dhe traumave me të cilët u përballëm para këtij viti.

Nëse firmosja e saj dha shpresë, mosrealizimi solli zhgënjim. I thelloi antagonizmat në këtë shtet problematik.

Ajo është bërë e përhershme, por me afat të skaduar, një shprehje imja që u përdor dendur. Mallrat me afat të skaduar janë të dëmshme për konsumuesit.

Joshja pas përfitimeve meskine e ngulfati frymën e Marrëveshjes, e tillë siç ishte. Prandaj për të mund të flasim vetëm mirë. Për të vdekurit nuk flitet keq. Këtë e dinë edhe ata që lindën pas vitit 2001, por nuk e pranojnë fëmijët e rritur, që humbjet duan t’i paketojnë si fitore historike.

Se është kështu, mund të dëshmohet duke e lexuar atë germë për germë. 14 vjet nga firmosja dhe 11 vjet nga tejkalimi i afatit të realizimit të saj, për të duhet folur si për një ujdi që i dha fund “luftës kombëtare për të drejta minoritare”, siç e kishte përkufizuar që në vitin 2001 publicisti Nijazi Muhamedi.

Dhe vetëm kaq.

Për kremtuesit e saj, kjo marrëveshje “suksesesh kolosale” është bërë e përhershme, ndonëse, deri më sot, nuk kemi asnjë raport për realizimin e saj. Si e këtillë vlen aq shumë sa nuk vlen asgjë.

Pasi e kam lexuar disa herë, germë për germë, mund të flas për (mos)realizimin e saj me saktësi të habitshme. Por gjërat janë stërthënë. Kur përsëriten bëhen të bezdishme. Mund të shtojmë: pas 14 viteve, kjo Marreveshje, që i dha fund konfliktit ndëretnik, nuk i dha fund luftës për mbijetesë. Ndarjet etnike janë thelluar, pavarësisht se flitet për solidaritete ndëretnike për qëllime konjukturash të tjera politike. Dominimet etnike, kulturore, gjuhësore janë po ato të para 2001. Ja pse shpresat e mëdha në vitet e para të periudhës së post- revolucionit u veniten shpejt.

Zhgënjimi ishte i paevitueshëm. Kështu ndodh përherë në periudhat post-revolucionare. Revolucioneve, siç thotë Berdjajev, u mungon shpirti krijues. Herët ose vonë shfaqet fytyra e vërtetë e atyre që pushtetin e kanë mbi gjithçka.

Kjo logjikë sot vërehet edhe nëpërmjet “diskursit” të “guerilës mediale”. Përdoret arsenal fyerjesh kundër kritikuesve të politikave qeveritare. E vërteta është e hidhur për abuzuesit e lirisë. Atyre u duhen vetëm robërit e lumtur, armiqtë më të mëdhenj të lirisë.

Në “mediat” e këtilla ka shumë nervozë e pak racionalitet. Ka shumë ofendime e pak mendim. Ka shumë refrene e pak ide. Ka shumë amatorizëm e pak profesionalitet. Ka shumë propagandë e pak fakte. Ka shumë etiketa e pak etikë. Ka shumë moralizim e pak moral. Ka shumë heroizëm e pak trimëri. Ka pronocime intelektualësh shtetëror me mungesë intelekti.

Historia e lirisë nuk është histori e glorifikuesve, por e kritikuesve.

Ndërmjet glorifikuesve të kënaqur dhe kritikuesve të vuajtur, më pëlqen të jem me të dytët. Më pëlqejnë vargjet vargjet e Uitmanit nga poezia “Shtetet”: “’Kundërshtoni shumë e binduni pakë’; / se bindja e verbër shpie në skllavëri të plotë; / prej skllavërisë së plotë asnjë popull i botës / nuk e fitoi dot përsëri lirinë”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Bravo!
    Ky shkrim eshte per ta bere saved, dhe keshtu pas nje kohe mesohet thuaja permendesh.
    Paragrafi i parafundit e lehteson te kuptuarit edhe te polikes, edhe te raporteve ndernjerezore; eshte lekcion per edukimin e femijeve poashtu: njeriu, mendoj une, cdohere ka me shume edhe hesap bile, qe te jete dinjitoz dhe te mos perkulet. Ne cdo kohe te mbetet njeri pasi justifikim per te kunderten nuk ka – njerezit e bejne kohen, koha abstrakte nuk eshte.

Back to top button