Nishani dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit për arsimin e lartë në Shqipëri

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, që u miratua në Parlament në muajin korrik, raporton Anadolu Agency (AA).

Në arsyetimet dhe argumentet që ka dhënë Nishani, thuhet ndër të tjera se fryma mbi bazën e të cilit është konceptuar dhe ndërtuar ligji, duket se nuk garanton autonominë e arsimit të lartë, gjë e cila sipas tij është dhe baza për të garantuar vijimësinë e procesit të Bolonjës dhe përmbushjen e detyrimeve që vijnë nga dokumentet ndërkombëtarë të cilat janë të detyrueshme për Shqipërinë. Presidenti vlerëson se ligji në tërësinë e tij nuk është ndërtuar mbi shtyllat të cilat dikton procesi i Bolonjës.

“Përmes këtij ligji rrezikon të kushtëzohet e drejta për arsimin e lartë nga kriteri i pagesës së tarifave të ndryshme të përcaktuara në ligj, por që mund të arrijnë në shifra të larta të papërballueshme për nivelin mesatar të jetesës në Shqipëri”- është një tjetër argument që ka parashtruar kreu i shtetit në dekretin e tij për kthimin për rishqyrtim të ligjit të shumë debatuar për arsimin e lartë.

Në vlerësimin e Nishanit ky ligj nuk garanton edhe autonominë e Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe lirinë akademike.

Pas një seancë maratonë diskutimesh dhe debatesh, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar më 22 korrik 2015 projekt-ligjin “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, që konsiderohet nga qeveria si një nga reformat e ndërmarra nga ana e saj në fushën e arsimit të lartë në vend.

Lajme të ngjashme

Back to top button