Parlamenti grek miraton paketën e tretë të shpëtimit

Parlamenti i Greqisë miratoi të premten “marrëveshjen e tretë të shpëtimit”, prej 86 miliardë eurosh, pasi zyrtarët e lartë të këtij vendi ranë dakord me kreditorët e tyre evropianë, raporton Anadolu Agency (AA).

Marrëveshja, e cila u realizua pas disa javë të negociatave me përfaqësues të kreditorëve, konsiderohet si një hap përpara në procesin e plotësimit të planit të shpëtimit, duke e çuar Greqinë më afër aprovimit të marrjes së fondeve shumë të nevojshme për kapërcimin e krizës ekonomike në vend.

Projekt-ligji për miratimin e paketës së shpëtimit ishte futur me procedurë të përshpejtuar përmes parlamentit. Ligjvënësit grekë janë përfshirë në debat për rreth 15 orë, prej të enjten në mbrëmje dhe deri të premten në mëngjes para se projekt-ligji u miratua.

Ministri i Financave i Greqisë, Euklidi Tsakalotos shpjegoi të enjten se kalimi i shpejtë për miratim ishte i nevojshëm në mënyrë që të ketë një miratim përfundimtar nga Eurogrupi, i cili mblidhte të premten.

Qeveria e Greqisë ka nënshkruar me kreditorët për pagesën prej 3.2 miliardë eurosh që do ti shlyejë Bankës Qendore Europiane deri në 20 gusht, dhe synon që të marrë një kredi prej 25 miliardë eurosh në kuadër të “paketës së tretë të shpëtimit” prej 86 miliardë eurosh.

Sot pas takimit të liderëve të Eurogrupit, është parashikuar që deri më 18 gusht do të nisë procesi për miratimin e marrëveshjes së re në parlamentet e vendeve të Eurozonës.

Lajme të ngjashme

Back to top button