Po zbulohet injektimi kundër varësive

Kërkuesit kanë zbuluar një ilaç të ri, i cili mund të fshijë kujtimet që lidhen me varësinë. Një ditë, ai do të mund të përdoret për të trajtuar varësinë nga droga.
Kërkuesit kanë zbuluar një ilaç të ri eksperimental, i cili mund të fshijë kujtimet që lidhen me varësinë. Ata thonë se një ditë mund të përdoret për të trajtuar varësinë nga droga, duke fshirë kështu “fantazmat” e varësisë së tyre.

Personat e varur nga një ves të cilët përpiqen të marrin veten shpesh pengohen nga kujtimet që i tundojnë ata t’i rikthehen zakonit edhe pas muajsh rehabilitimi ose jetese prej vitesh pa përdorur drogën.

Instituti i Kërkimit Scripps thotë se zbulimi i tyre i sjell ata më afër me një terapi të re bazuar mbi fshirjen selektive të rreziqeve dhe kujtimeve që lidhen me përdorimin e drogës.

“Tani ne kemi një shënjestër që ka shanse për sukses dhe që do të funksionojë duke ndërprerë, duke fshirë dhe duke zhdukur kujtimet e drogës, duke lënë kështu vetëm kujtimet e tjera, të cilat nuk do të preken”, – tha profesoresha Courtney Miller nga TSRI.

Ekziston shpresa që, kur kombinohen me rehabilitimin tradicional dhe terapitë e tjera, kjo metodë mund të pakësojë ose eliminojë rikthimin e dëshirës te përdoruesit e metamfetaminës.

Gjithashtu kërkuesit shpresojnë që t’ia dalin me vetëm një trajtim të vetëm duke hequr shtytjen e zakonit të vjetër te personi i varur nga droga.

Studimi i ri, i publikuar këtë javë në revistën Psikiatria Molekulare tregoi se me sa efektivitet mund të veprojë një injektim i vetëm te një person që sapo e ka filluar drogën. Eksperimentet e para janë kryer me modele kafshësh të cilët ia dolën me sukses t’i shpëtonin varësisë.

Studimi i ri çon edhe më tej kërkimin e mëparshëm të laboratorit të Miller.

Në vitin 2013, skuadra bëri zbulimin befasues se kujtimet e lidhura me drogën mund të fshiheshin selektivisht duke shënjestruar aktinën, proteinën që ofron mbështetjen strukturore për kujtimet në tru.

Megjithatë, potenciali terapeutik i zbulimeve dukej i kufizuar nga problemi se aktina është shumë e rëndësishme dhe konsumi i një pilule që do të pengonte atë do të ishte fatal për trupin.

Studimi i ri i Miller dhe kolegëve të tij raporton një përparim të madh, zbulimin e një itinerari të sigurt për të shënjestruar sipas dëshirës aktinën në tru përmes miozinës jomuskulare II, një motor molekular që mbështet formimin e kujtesës.

Për t’ia dalë me sukses, kërkimi përdori një përbërës të quajtur blebbistatin, i cili vepron mbi këtë proteinë.

Rezultatet treguan se një injektim i vetëm i blebbistatinia doli me sukses të shkëpusë ruajtjen afatgjatë të kujtimeve të drogës dhe bllokoi kthimin e tyre për të paktën një muaj te kafshët që kishin modele të varësisë së metamfenimës.

“Çfarë e bën miozinën II një shënjestër të tillë terapeutike është fakti se një injeksion i vetëm i blebbistatin-ësi bën kujtimet e lidhura me metamfetaminën të zhduken së bashku me strukturat që i ruanin ato në tru”, tha EricaYoung, një anëtare e laboratorit Miller dhe autore kyçe e studimit të ri, së bashku me kolegët Ashley Blouin dhe Sherri Briggs.

Kërkuesja Blouin tha se “drogat që shënjestrojnë aktinën shpesh duhet të çohen menjëherë në tru”.

Megjithatë mënyra që kanë gjetur shkencëtarët bën që injektimi të arrijë në tru edhe kur futet në periferi të trupit dhe ç’është më e rëndësishmja nuk pati pasoja për shëndetin e kafshëve.

Efekti i këtij trajtimi të ri ishte i lidhur veçanërisht me kujtimet që lidhen me drogën.

“Zbulimet tona argumentojnë për zhvillimin e një molekule të vogël që do të ndërveprojë me miozinën jomuskulore II si një trajtim që do të parandalojë dëshirën për të ardhmen”, tha kërkuesja Briggs.

Miliona njerëz këdo në botë vuajnë nga varësia prej drogave të ndryshme. Këta persona shfaqin shpesh sjellje agresive, nuk përqendrohen dot dhe nuk kanë një stil jetese të mirë.

Personat e varur nga substancat e drogës nuk arrijnë të gjejnë një punë të qëndrueshme, ata nuk marrin përsipër përgjegjësitë dhe e rrotullojnë jetën rreth marrjes së drogës. Me kalimin e kohës dozat e vogla fillojnë të bëhen edhe më të mëdha dhe personi kalon nga një drogë e lehtë deri në një më të fortë dhe më të rrezikshme. Shpesh trupi i këtyre personave degradon dhe ata e humbin jetën në moshë të re.

Megjithatë, shkenca po përparon që t’i japë mundësinë këtyre personave të heqin dorë nga zakoni i vjetër dhe të nisin një jetë të re.

Lajme të ngjashme

Back to top button