Javës tjetër nga T-mobile mund të thirrni në Albafone dhe anajselltas

Operatori shqiptar i telefonisë celulare Albafone, ka njoftuar sot se deri në fund të javës së ardhshme do të mund ta realizojë interkoneksionin me T-Mobile.

“Porsa përfunduam takimin me përfaqësuesit e T-Mobile dhe kemi zotimin e tyre se deri në fund të javës së ardhshme do të mund të pranoni thirrje edhe nga rrjeti i tyre. Vip dhe T-Home do të pasojnë në të njejtën kohë” tha drejtoresha e Marketingut pranë Albafone, Bleta Abdullai. 

Kjo kompani gjithashtu bëri me dije për përkrahjen e saj për Festivalin e Teatrit Shqiptar në Maqedoni, që po zhvillohet aktualisht në Dibër, për të 12 herë me radhë, por dhe për Simpoziumin e 18-të të Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë të Maqedonisë. 

Nga Albafone thonë se një nga synimet e kompanisë është përkrahja e zhvillimit të kulturës, artit, sportit dhe shkencës shqiptare, duke mbushur një boshllëk që kanë lënë operatorët e tjerë dhe kompanitë e mëdha në vend, me mungesën e përkrahjes financiare. 

“Ka shumë nevojë që të përkrahen si talente të rinj që kanë shumë potencial për të dhënë, por gjithashtu, nuk duhet të lejojmë që emra të shquar të sportit, muzikës dhe teatrit të humbasin dhe veprat e tyre të shuhen”, thotë drejtoresha e Marketingut pranë Albafone, Bleta Abdullai. 

Ajo njofton se kompania është “vërshuar” nga kërkesat e shumta për të përkrahur manifestimet kulturore dhe shkencore shqiptare. 

“Jemi duke e përkrahur ‘Festivalin e Teatrit Shqiptar në Maqedoni’ i cili mbahet në Dibër tashmë 12 vite me radhë. Ky festival është një shembull i vërtetë e stoicizmit dhe përpjekjes që me mjete minimale të mbahet gjallë arti dhe kultura shqiptare. Është në fakt hera e parë që teatri nikoqir “Qemal Ajdini” nuk merr pjesë në festival për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Duke parë këtë situatë, Albafone vendosi që ta përkrahë festivalin dhe do të ndajë çmimin e madh për shfaqjen më të mirë të festivalit. Ndarja e çmimeve do të bëhet ditën e diel në një konkurrencë mbarëshqiptare”, njofton Abdullai.

Gjithashtu, siç bën të ditur Abdullai, Albafone do të përkrahë simbolikisht Shoqatën e Mjekëve Shqiptarë në Maqedoni në Simpoziumin e tyre të 180-të, që do të mbahet këtë fundjavë në Strugë me pjesëmarrjen e 300 mjekëve shqiptarë. 

“Këto janë vetëm disa nga aktivitetet tona të para për përkrahjen dhe zhvillimin e kulturës shqiptare, dhe do të bëhen hapa akoma më të mëdhenj në këtë drejtim. Gjithashtu, bëjmë apel te të gjitha kompanitë shqiptare të fillojnë ta bëjnë të njëjtën dhe së bashku të bëjmë projekte akoma më madhore”, shprehet drejtoresha e Marketingut në Albafone.

Lajme të ngjashme

Back to top button