Ndërhyn UEFA, Shqipëri-Serbi luhet në “Elbasan Arena”

Shqipëri- Serbi ndeshja e shumëpritur e 8 Tetorit  nuk do të luhet ashtu sic ishte parashikuar në Loro Borici të Shkodrës por në Elbasan Arena. Sipas FSHF, ndryshimi i destinacionit nuk ka të bëjë me ecurinë e punimeve në stadiumin e Shkodrës ku po garohej me kohën në mënyrë që stadiumi të ishte gati për ndeshjen me Serbinë, por me një kërkesë specifike të Uefas, që e ka vlerësuar si një ndeshje të rrezikshmërisë së lartë përballjen me serbët, nisur edhe nga precedenti i takimit të 14 Tetorit të kaluar në Beograd.

E gjendur përpara një kërkese të tillë, pavarësisht premtimeve të bëra disa herë publike nga kryeministri Rama, i cili ftoi madje në Shkodër pak ditë më parë edhe homologun serb  Alexandër Vucic, FSHF ka vendosur që ndeshja të luhet në Elbasan Arena.

Federata Shqiptare e Futbollit bëri të ditur gjithashtu se ka nisur tashmë një plan masash të detajuar për mbarëvajtjen e takimit me Serbinë për të cilën të Martën pati edhe një takim mes Kreut të FSHF Armand Duka, kryeministrit Edi Rama, Ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri si dhe kreut të SHISH Visho Ajazi. Për sa i përket stadiumit Loro Borici, FSHF ka garantuar se për inagurimin e tij në muajin Nëntor do të organizohet një miqësore me një kundërshtar të nivelit të lartë.

Lajme të ngjashme

Back to top button