Rita Ora: Gjyshi, Besim Sahatçiu, më bëri të famshme!

“Më mungon gjysh…Të dua shumë…Ti më bëre të besoj se kjo është e mundshme. Ti besove te unë, para se unë vet[ të besoja në veten time. Të do Rita Pita! Rita (Sahatçiu Ora)” . Ky është dedikimi i vetëm që ka bërë Rita Ora në librin monografik kushtuar gjyshit të saj Besim Sahatçiu, por pak vet e dinë se ajo u ngjit aq lart duke plotësuar një amanet të gjyshit, ëndrrën e hershme të fëmijërisë së tij.

Monografia “Besim Sahatçiu. Një jetë për ekranin dhe skenën” është shkruar nga autori Kopi Kyçyku në bashkëpunim me familjen Sahatçiu dhe prindërit e Rita Orës, shkruan Shqiptarja. Monografia për regjisorin e mirënjohur të Kosovës është promovuar me rastin e 8-vjetorit të largimit nga jeta të Besim Sahatçiut (2 tetor 2005). Të pranishëm ishin dhjetëra intelektualë kosovarë dhe prindërit e Rita Orës, këngëtares me famë botërore. Autori i librit Kopi Kyçyku shprehet se “regjisori Sahatçiu ka lënë gjurmë të mëdha në kinematografinë shqiptare, në përpjekje titanike për ta afirmuar kombin përmes artit”.

Në faqet e këtij libri Kyçyku shprehet se “Dinastia Sahatçiu është si një damar i artë, nga ka dalë edhe mbesa e regjisorit Besim Sahatçiu, e famshmja Rita Ora. Autori i librit ka shfrytëzuar dokumentet nga arkivi i familjes Sahatçiu ku ka përshkruar mjaft atribute nga puna krijuese e Besim Sahatçiut e deri te vlerësimet e merituara për cilësinë artistike dhe intensitetin e mendimit regjisorial. Rita duket se ka qenë “e përkëdhelura e gjyshit”. E shohim në foto me të motrën dhe vërejmë se qysh në moshë të vogël ajo shfaqet shumë gazmore dhe çapkëne. Sytë e saj duken mjaft të zgjuar për moshën që ka. Mirëpo autori i këtij libri në këtë monografi nuk ka paraqitur vetëm marrëdhëniet familjare e shoqërore të regjisorit të famshëm kosovar. Besim Sahatçiu del në plan të parë si një ndër intelektualët më të rëndësishëm të Kosovës, ku të bie në sy një foto e rrallë me shkrimtarin Ismail Kadare dhe poetin e madh kosovar Azem Shkreli. Besim Sahatçiu, gjyshi i Rita Orës, ka qenë një nga regjisorët dhe skenaristët më të mëdhenj të Kosovës, i përfshirë në xhirime të gjithanshme që nga filmat, teatri dhe televizioni.

Si u bë Rita Ora këngëtare

Megjithëse regjisor, Besimi ka pasur lidhje të ngushta me muzikën. Prirjet e tij muzikore janë evidentuar që në fëmijëri, ku ai i binte fizarmonikës. Ndaj jo rastësisht mbesa e tij trashëgon një vesh të mirë muzikor. Siç shkruan autori i librit Kyçyku: “i ndikuar nga teatri dhe sidomos nga muzika Besimi mësoi të luante edhe disa vegla muzikore njëherësh. Dy mësues këmbëngulnin të vazhdonte shkollën muzikës në Prizren, por ai nuk pranoi, sepse donte të vijonte gjimnazin me shokët e fëmijërisë në Pejë”. Monografia ka copëza nga jeta e Besim Sahatçiut, intervista, çaste nga kalvari i vuajtjeve prej politikës serbe, etj, dhe shkon deri tek kujtime e ngrohta familjare.

Sigurisht Kyçyku nuk lë pa përmendur edhe djemtë e tij Besnikun dhe Bekimin, ku shkruan edhe për prindërit e Rita Orës. Rita Ora është vajza e djalit të tij Besnikut. Kyçyku tregon se “familja e Besnikut ka një frymëmarrje të shëndetshme intelektuale që rrezaton në fusha të ndryshme. E shoqja Vera është mjeke, djali Doni është nxënës. Vajza e madhe Elena merret me biznes, ndërsa vajza e vogël e Besnikut Rita Ora mban gjallë dhe çon më tej dëshirën e zjarrtë të gjysh Besimit, duke shkëlqyer në muzikë. Monografia ka plot kuriozitete dhe veprimtari nga regjisori i famshëm kosovar, Besim Sahatçiu, të cilat mund t’i zbulosh mes rreshtave, por ajo që na bën përshtypja është se këngëtarja e famshme Rita Ora është ngjitur aq lart, falë ndikimit të gjyshit të saj, duke plotësuar edhe amanetin e tij. Këtë gjë që e pohon edhe vetë në shënimin që ka lënë për këtë monografi këngëtarja. “Ti më bëre të besoj se kjo është e mundshme”, shkruan Rita Ora.

Kush ishte Besim Sahatçiu

Regjisori, Besim Sahatçiu, u lind më 2 tetor 1935, në Pejë, ai ndërroi jetë në vitin 2005. Shkollën fillore dhe të mesmen, Besim Sahatçiu i kreu në qytetin ku u lind. Më tej ndoqi dy vjet letërsi botërore në Universitetin e Beogradit. Pas ndërprerjes së studimeve, për shkak të shërbimit ushtarak të detyrueshëm, punoi katër vjet si përkthyes në “Rilindje”. Më pas u regjistrua në degën e regjisurës pranë Akademisë së Teatrit e të Filmit në Zagreb, të cilën e përfundoi më 1972. Besim Sahatçiu ka qenë regjisor i dhjetëra filmave, regjisor i teatrit, regjisor i dhjetëra e dhjetëra emisioneve televizive dhe laureat i dhjetëra çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

(Në foto: Besim Sahatçiu me bashkëshorten Besën dhe dy mbesat (majtas) Elena dhe (djathtas) Rita (Sahatçiu) Ora në vitin 1996).

Lajme të ngjashme

Back to top button