KM Çairi kthehet me medalje nga Kosova
Kosova, gjegjësisht qyteti i Ferizajit gjatë fundjavës ka qenë arenë ku janë mbledhur mundës nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia në turneun memorial për junior “Naim Beka”. Vendin tonë e ka përfaqësuar vetëm klubi i mundjes Çair nga Shkupi, e që kjo e fundit mori pjesë me tre garues, prej të cilëve dy fituan medalje. Adem Adem në kategorinë 96kg fitoi ari, ndërsa Behar Mahmuti 66kg u stolis me medalje të argjendtë.
Ademi ne finale arriti që të mposht pa probleme te mëdha Paris Karemi me 8:0 dhe i njëjti në fund u shpall mundësi më i mirë nga mundësit e huaj, duke i dhuruar mundësit nga Çairi edhe një Kupë. Me një pllakat falënderimi për gjithë atë që ka bërë në zhvillimin e mundjes është shpërblyer edhe legjenda e mundjes Shaban Sejdiu, kurse klubi i tij në plasmanin ekipor u rendit i treti.
Trajneri Avdyl Salihu u shpreh i kënaqur me organizimin dhe pritjen nga ana e organizatorëve. “Ishte një organizim i mirë dhe ne posa morëm ftesën iu përgjigjem menjehëre. Në këtë aktivitet morën shumë mundës cilësor, kurse ne me mundësit tanë treguam se kemi kualitet por për aktivitet më të forta duhet ende punë. Pra ishte një test i mirë”, pohoi Salihu.
Pas këtij aktiviteti u zhvillua edhe një takim punë në mes përfaqësuesve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë ku edhe u diskutua për bashkëpunim si dhe në sferën e përgatitjeve te përbashkëta. Kështu seleksionuesi i Kosovës Sulejman Shala ofroj si bazë të përgatitjeve nga tani të jetë palestra e re që është ndërtuar në Prizren, ndërkohë kryetarët e dy federatave ajo shqiptare dhe kosovare premtuan mbështetje për të gjithë mundësit. Legjenda Shaban Sejdiu tha se këso takimesh duhet mbahen më shpesh, pasi vetëm kështu mund të shkon mundja përpara, por duke premtuar që edhe ai do ti ndihmoj më të gjithë potencialin që ka. / Portalb