Gjithçka gati për turneun “Mentaz Allajbegu”
E shtuna dhe e diela do të jetë e rezervuar që vëmendja kryesore nga aktivitete sportive nga vendi të jetë mundja, pasi në program do të jenë dy ngjarjet më të rëndësishme të vitit.
Të shtunën nën organizim të KM Liria do të zhvillohet turneu i dytë me radhë memorial për fëmijë prej moshës 8 deri 14 vjeç “Mentaz Allajbegu”, ndërsa një ditë më vonë mbahet Kampionati shtetëror për kadetë, ku pavarësisht rezultatit, KM Liria do të merr Kupën e fituesit si klubi më i mirë në Maqedoni, klub i cili arriti të triumfojë në të gjitha kategoritë. Ndryshe, sa i përket memorialit “Mentaz Allajbegu”, nga klubi KM Liria në pres konferencën që u mbajt në zyrat e klubit, para mediave folën kryetari Betim Vrenezi, koordinatori Amet Ademi si dhe trajnerët Lulzim Vrenezi, Sufijan Ismaili dhe Sedat Baftiu
Kryetari Vrenezi mes tjerash ka thënë se këtë vit organizimi do të jetë në nivel më të lartë dhe pritet të ketë mysafir të ndryshëm nga vendi Kosova dhe Shqipëria.
“Ne tani më jemi përgatitur maksimalisht për këto aktivitete dhe besojmë se këtë vit organizimi do të jenë në nivel më të lartë dhe se do të kemi shumë mundës kualitativ. Shpresoj se do të kemi shumë mysafir nga jeta politike dhe sportive të cilët edhe do të nderojnë legjendën e sportit dhe në veçanti klubit të mundjes Liria, Mentaz Allajbegun”, ka thënë Vrenezi.
Koordinatori Amet Ademi ka potencuar se deri më tani kanë të gjithë e konfirmuar pjesëmarrjen në turneun “Mentaz Allajbegu”, duke shpresuar se ky turnir do të kalojë në frymë pozitive duke e vazhduar traditën e organizimit”
Trajneri Ismaili njoftoi se ekipi i tij do të paraqitet me së paku 30-35 mundës, ndërsa gjithsej në këtë turnir pritet të paraqiten afër 150 mundës. “Ne si klub jemi përgatitur maksimalisht dhe shpresojmë që të mbrojmë titullin nga viti i kaluar. Gjithashtu nuk duhet harruar se të gjithë ata që vijnë në këtë turnir, do të jenë prezent me përfaqësuesit më të mirë dhe nuk do të jetë lehtë për askënd”, ka thënë në prononcimin e tij trajneri Ismaili.
Të dy turnirët do të mbahen në palestrën sportive “Zef Lush Marku”, ndërsa hapja e turnirit do të bëhet në ora 12:30 kurse garat eliminatore do të fillojnë prej orës 1100. Të përkujtojmë se fitues i parë i memorialit “Mentaz Allajbegu” ishte mundësi i Lirisë, Minir Rexhepi. / Portalb /