Qeveria e RMV-së ndau 1.3 milionë denarë për kampionin Besir Alili dhe KM “Liria”
Edhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka ndarë mjete për titullin e kampionit evropian në mundje. Për Besir Alilin ka ndarë 1 milion denarë, e ndërkaq për Klubin e Mundjes “Liria” 300 mijë denarë, transmeton Portalb.mk.
Siç njoftoi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, vendimi për shpërblim është marrë në seancën e sotme të Qeverisë.
Gjithashtu Agjencia për Rini dhe Sport ka ndarë 1 milion denarë shpërblim për titullin e kampionit evropian në mundje.
800 mijë denarë do të shkojnë për mundësin Besir Alili, e ndërkaq 200 mijë denarë për Klubin e Mundjes “Liria”.
Këto sot u bënë të ditura në takimin që Alili e realizoi me drejtorin e ARS-së, Darko Kaevskin.
Përndryshe, gjatë manifestimit të pritjes, për Besir Alilin dhe KM “Liria” shpërblim me mjete parash ka paralajmëruar edhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, e ndërkaq kryetari i Çairit, Visar Ganiu ka premtuar bursë në kohëzgjatje sa të jetë ai kryetar.
Alili sot është pritur në takim edhe nga Shilegovi.
“Unë dje ju tregova se do ta shpërblejë edhe Qyteti i Shkupit. Shuma do të kuptohet më 5 korrik, kur edhe do të ketë mbledhje Këshilli i Qytetit”, tha Shilegovi, i cili i dha mesazh motivues Alilit: “Mos ndalo, sfida më e madhe është pasi të arrihet suksesi”.
Ndryshe, ky shpërblim vjen pasi Alili arriti të rrëmbejë titullin e kampionit evropian në mundje, në kategorinë deri 48 kg.