Fitorja e Realit, Arbeloa e Pique “përplasen” në Twitter

Barazim në kohën shtesë, penallti mjaft e dyshimtë e fituar nga Pepe dhe më pas erdhi goli nga Cristiano Ronaldo, duke i mohuar Elche atë barazim që do të ishte historik përballë Realit të Madridit.

Të gjitha këto ndodhën në disa dhjetëra sekonda dhe ka patur jo pak të revoltuar në Spanjë, aq sa dufin e kanë nxjerrë duke iu drejtuar Twitterit dhe me cicërima kanë kërkuar ndihmën e policisë. Aspak e zakontë kjo për një ndeshje futbolli, duke detyruar më pas policinë spanjolle të përgjigjet me një status, sa zyrtar aq edhe sportiv:
“Kemi marrë rreth 120 ankesa që kanë lidhje me futbollin në 10 minutat e fundit. Mbani mend, jemi për t’ju ndihmuar për çështje që kanë lidhje me sigurinë”.

Sigurisht që policia në këto raste nuk ka çfarë të bëjë, por tifozët diku duhet të shfryheshin për protagonistin e mbrëmjes, arbitrin Munjiz Fernandez, i cili veç tifozëve bëri edhe lojtarët e Realit e Barçës të replikonin, edhe këta në Tëitter. Ja çfarë shkruajti Pique në faqen e tij:

“Po shikoj një komedi në Canal + Liga. Gjithmonë shkon në këto orë të mbrëmjes”.
Dhe i përgjigjet më pas Arbeloa, duke ironizuar: “Jemi të lumtur për 3 pikët. Më bëhet qejfi që dikush ka lënë teatrin për të parë film, është diçka e mirë”.

Me mesazhin e tij, Arbeloa ka parasysh Mourinhon kur Chelsea i tij në 2006 u mund mes polemikash nga Barcelona në Champions dhe tha pas takimit se Katalunja është një vend i kulturës dhe e di shumë mirë se çfarë është teatri.

Nuk kursejnë kritikat për këtë fitore të Realit edhe të përditshmet spanjolle, ku më agresive natyrisht janë ato pro Barçës. El Mundo Deportivo ka si kryetitull “Kështu fiton Reali”, ndërsa gazeta tjetër Sport vendos mes pikëçuditëseve fjalët “Cfarë grabitje”. Edhe Marca e AS nuk mund të heshtin, ndonëse me tone më të buta. E para shkruan “Tërheqje në La Liga”, e shoqëruar me foton ku duket qartë Pepe që tërheq lojtarin e Elche, ndërsa gazeta tjetër e ka me arbitrin dhe titulli është “Çmenduri e Munjiz”.

Lajme të ngjashme

Back to top button