“Luftëtarët” shumë pranë finales
Golden State Warriors fluturon me Stephen Curry dhe tashmë është vetëm 1 fitore larg ëndrrës. Skuadra e drejtuar nga trajneri Steve Kerr triumfoi edhe në takimin e tretë final të Konferencës së Perëndimit përballë Houston Rockets duke e çuar në 3-0 serinë.
Falë një Stephen Curry në superformë Golden State e pati shumë të thjeshtë ta mposhte skuadrën teksane dhe në ndryshim nga dy takimet e para këtë herë edhe pse luante në transfertë fitoi me një rezultat shumë më të thellë. 40 pikë 7 asiste dhe 5 kërcime koleksionoi në total ylli i Warriors në suksesin me shifrat 115-80 të miqëve nga Oakland.
Miqtë ishin thjeshtë të papërmbajtshëm mbi parket dhe e mbyllën periodën e parë me shifrat 30-18 në favor të tyre. Harden nuk ishte në ditën e tij më të mirë dhe kjo gjë u vu re qartë në 12 minutëshin e dytë. Ylli i Rockets realizoi vetëm 17 pikë në total dhe përpara pushimit Warriors pothuasje e kishin hipotekuar fitoren pasi tabela elektronike e Toyota Center tregonte rezultatin 74-50 në favor të tyre.
Në pjesën dytë Curry ishte thjeshtë fantastik me goditjet e sakta nga vija për tre duke i zgjeruar akoma edhe tej shifrat. 27-vjeçari nga Karolina e Veriut realizoi plot 7 trepikësha duke thyer rekordin përsa i përket tentativave të sakta nga distanca për tre pikë në ndeshjet e play-offit me një total prej 64 trepikëshash. Ashtu si Harden edhe Howard nuk mundi të bënte dot asgjë për të evituar disfatën e Houstonit. Në Toyota Center gjithçka përfundoi me rezultatin 115-80 për miqtë nga Oakland.
Takimi i 4-t final mes Rockets dhe Warriors do të luhet sërish në Texas të hënën.