BDI: Ivanov nuk ka arsyetuar mbështetjen e votuesve shqiptarë?

BDI ka bojkotuar pjesërisht, kurse PDSH e RDK plotësisht fjalimin vjetor të presidentit Gjorge Ivanov. 

Teksa Ivanov ka mbajtur fjalimin e tij të fundit përpara deputetëve, kanë munguar të gjithë ministrat e BDI-së dhe thuajse i gjithë Grupi Parlamentar, me përjashtim të dy-tre deputetëve.

Në anën tjetër, kanë qenë bosh ulëset e deputetëve të opozitës shqiptare, PDSH e RDK.
Kreu i Grupit Parlamentar të BDI-së, Nexhati Jakupi ka deklaruar se mospjesëmarrja e ministrave dhe e deputetëve paraqet në të vërtetë lajmin se kjo parti nuk do të mbështesë një model të njëjtë të presidentit Gjorge Ivanov. 

 “Pjesëmarrja e vetëm dy apo tre deputetëve të BDI-së, ishte për të shprehur respekt ndaj institucionit të presidentit dhe jo ndaj presidentit në ikje, i cili  nuk ka arsyetuar mbështetjen e votuesve shqiptarë?. ”, ka deklaruar Nexhati Jakupi.

Ai ka riafirmuar qëndrimin e BDI-së se është e gatshme të mbështesë në zgjedhjet presidenciale një kandidat konsensual.

Partia e Rufi Osmanit ka reaguar përmes deputetit Naxhi Xhelili, duke vlerësuar Ivanovin si president i VMRO-DPMNE-së dhe jo i qytetarëve. 

“Kjo është arsyeja që shqiptarët të vlerësojnë mirë se çfarë duhet të përkrahin në zgjedhjet presidenciale dhe sidomos partitë shqiptare, BDI e PDSH”, ka deklaruar Xhelili. 

Për partitë maqedonase, bojkoti i partive shqiptare dhe në veçanti ai i BDI-së flet për mungesën e përkrahjes nga shqiptarët të presidentit Ivanov. 

Sipas VMRO-DPMNE-së, ndërkaq, mungesa e deputetëve dhe e ministrave të BDI-së paraqet sinjal jopozitiv për respektin që duhet të gëzojë institucioni i presidentit.

Lajme të ngjashme

Back to top button