USHT dhe Universiteti Trakya organizuan Kongresin Ndërkombëtar Ballkanik të Shkencave Sportive

Fakulteti i Kulturës Fizike i Universitetit Shtetëror të Tetovës në bashkëpunim me Universitetin Trakya organizuan “Kongresin Ndërkombëtar Ballkanik të Shkencave Sportive”‏ në Edrene të Republikës së Turqisë. Kongresin e shpalli të hapur Rektori i Universitetit Trakya, Prof. dr. Yener Yoruk  ndëra dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike të Universitetit Trakya, Doc. Ilhan Toksoz, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve theksoi se ky organizim shkencor dëshmon edhe njëherë për partneritetin dhe bashkëpunimin e frytshëm që ka krijuar Universiteti Trakya me Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Në emër të USHT-së pjesëmarrësit në Kongresin Ndërkombëtar Ballkanik të Shkencave Sportive, (International Balkan Sport Science Congress, IBSSC 2015) i përshëndeti dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike të USHT-së, Prof. dr. Hajri Ziba. “Kam nderin e veçantë që t’Ju përcjell urimet e Rektorit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. dr. Vullnet Ameti, në hapjen solemne të Kongresit Ndërkombëtar për Shkencave Sportive, i cili këtë vit do t’i zhvillojë punimet në Universitetin tuaj. Universitetet tona tashmë e kanë konfirmuar bashkëpunimin e ngushtë në lëmin e veprimtarisë mësimore-shkencore, dhe në këtë kuadër dy institucionet tona, respektivisht Fakultetet e Kulturës Fizike të këtyre dy universiteteve e organizojnë  këtë Kongres Ndërkombëtar të Shkencave Sportive, nga i cili pritet të sillen kontribute shkencore dhe eksperienca të ndryshme, që kanë të bëjnë me të arriturat më të reja në këtë fushë dhe në ngritjen e cilësisë së këtyre shkencave në përgjithësi”, tha Prof. dr. Hajri Ziba.

Sipas tij, ky aktivitet u hap rrugë edhe shumë bashkëpunimeve të reja në të ardhmen. “Ky Kongres ndërkombëtar, që po organizojmë bashkërisht, Universiteti ynë dhe Universiteti Trakia, gjithnjë e më shumë e intensifikon komunikimin ndërakademik, trajton  tema me rëndësi për shkencat sportive, por u hap rrugë edhe bashkëpunimeve të reja dhe realizimit të manifestimeve të përbashkëta shkencore, siç është ky i sotmi, përmes së cilit krijohen mundësi që kuadrot e këtyre dy Universiteteve të përcaktojnë përparësitë dhe mangësitë e mundshme, me qëllimin që shkencat sportive në të ardhme të kenë rritje në cilësinë e veprimtarive mësimore dhe shkencore të këtyre Fakulteteve”, shtoi mes tjerash dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike i USHT-së, Prof. dr. Hajri Ziba.

Prodekani i Fakultetit të Kulturës Fizike të USHT-së, Doc. dr. Fadil Mamuti njëherit edhe koordinator i Kongresit theksoi se ky aktivitet është i treti me radhë që organizohet mes USHT-së dhe Universitetit të Trakya. Sipas tij, organizime të këtij niveli ka pasur edhe më parë, ku është organizuar një Simpozium Ndërkombëtar i Shkencave Sportive dhe Konferenca Ndërkombëtare e Shkencave Sportive dhe këto evenimente shkencore organizohen në çdo dy vjet.

Në Kongresin Ndërkombëtar Ballkanik të Shkencave Sportive janë trajtuar pesë tema, si:  KRK Pënaret dhe Spo‏rtet Tradicionale, Edukimi Fizik dhe Sporti, Sporti dhe Shëndeti, Sporti dhe Menaxhimi, si dhe Rekreimi dhe Menaxhimi. Po ashtu, në këtë Kongres u prezantuan mbi 120 punime shkencore. Vlen të theksohet se nga Fakulteti i Kulturës Fizike i USHT-së kanë marrë pjesë 17 ligjërues me 17 punime shkencore. Në këtë kongres po ashtu kishte pjesëmarrës nga vendeve të ndryshme të Ballkanit, si Turqia, Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Bullgaria dhe Rumania.

Lajme të ngjashme

Back to top button