Fjalimi i presidentit Gjorge Ivanov pas incidentit në Kumanovë

Në seancën e Këshillit të Sigurisë (KS) të Maqedonisë përpos anëtarëve të tij morën pjesë edhe partitë politike LSDM, BDI dhe PDSH duke dënuar fuqishëm prishjen e rendit dhe sigurisë nga ana e disa grupeve dhe individëve, qëllimi i të cilëve ishte destabilizimi i Maqedonisë. Me këto fjalë presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov e filloi fjalimin e tij pas ngjarjeve të Kumanovës duke treguar kështu çfarë është biseduar në mbledhjen e KS-së. Portalb ju sjell fjalimin e tërë.

“Për konkluzat e Këshillit të Sigurisë (KS) do të njoftoheni në mënyrë plotësuesese.Të gjithë kompetentët nga sfera e sigursë kishin udhëzime konkrete për veprim adekuat në suaza të kompetencave të tyre ligjore.

Është ndërprerë qëllimi për sulme të koordinuara terroriste në disa lokacione të ndryshme të shtetit, me qëllim të destabilizimit serioz të vendit dhe shkaktimit të destabilizimit, kaosit dhe frikës. Me aksionin e ndërmarrë policor, policia kishte për qëllim të parandalojë edhe viktima civile. Për këtë, u shkaktuan dëme njerëzore dhe materiale.

Në konsultimet e mia të rregullta dhe të jashtëzakonshme për qëllimet eventuale të këtij grupi, është konstatuar se ky grup nuk ka mbështetje as në Maqedoni e as në regjion. E kemi ditur që grupi është formuar nga individë kriminel ekstrem me aftësi të veçanta luftarake. Në asnjë moment dhe në asnjë mënyrë nuk i nënvlerësuam as kapacitetet e tyre dhe as motivin e tyre për të zhvilluar akt terrorist. Prandaj aksioni policor për neutralizim ishte aq i madh. Prandaj, për fat të keq, paguam një faturë të madhe duke humbur jetë njerëzish.

Për këtë grup, në fillim të vitit 2015, me anë të letrave i kemi komunikuar 17 shërbime partnere në Bashkimin Evropian dhe NATO si dhe vendet në regjion. Mund të konstatoj se këmbimi i informatave me qëllim të parandalimit të këtij grupi, nuk dha sukses.

Të nderuar,

Republikës së Maqedonisë këto dy ditë i ndodh ajo që e paralajmërova para disa muajve, në fjalimin tim në Këshillin për siguri në Kombet e Bashkuara. Autorët dhe gjithë të involvuarit në këtë akt terrorist do të paguajnë shtrenjtë për atë që ata u përpoqën të ia bëjnë Republikës së Maqedonisë dhe banorëve të saj.

Unë dua që qartë të ua bëj me dije se nuk do të lejojmë përshkallëzimin e tensioneve. Bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të shmangur destabilizimin e shtetit dhe çrregullimin e marrëdhënieve ndëretnike.

Në atë rrugë ne kemi nevojë për ndihmën tuaj, të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Ne kemi nevojë për durim, përmbajtje dhe urtësi. Në atë rrugë kemi nevojë për përmbajtje dhe urtësi. Në atë rrugë kemi nevojë për mbështetjen e liderëve të partive politike, që të veprojmë me përgjegjësi dhe të jenë në lartësinë e pritjeve të qytetarëve. Në atë rrugë kemi nevojë për përkrahjen tuaj, të mediumeve, të jeni në nivel të profesionalizmit dhe përgjegjësisë që e keni.

Në fund të asaj rruge kemi nevojë për mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar. Për vite të tëra, unë paralajmëroj se status-kvo situata në integrimin euro-atlantik na krijon frustrime në jetën politike dhe ndëretnike dhe na bëjnë të prekshëm dhe të ndjeshëm ndaj përpjekjeve për destabilizim.

Kërkoj nga bashkësia ndërkombëtare, Bashkimi Evropian dhe NATO, me një seriozitet të madh të angazhohen dhe të gjejnë një mënyrë për të zhbllokuar integrimin Euro-Atlantik, për të mirën e Republikës së Maqedonisë dhe të gjithë rajonit.

Në këtë drejtim kërkoj nga shoqëria e përgjithshme maqedonase, veçanërisht nga liderët politikë, për të hyrë në dialog politik, për të kapërcyer të gjitha dobësitë, që vazhdimisht vëren Komisioni Evropian.

Dialogu politik në vend për shumë kohë mungon. Është koha që liderët e partive politike të fillojnë për të diskutuar dhe të kërkojnë zgjidhje për krizën politike.

Sinqerisht më vjen keq, që duhej të prisnim këto momente për t’u ulur së bashku. Kjo është ajo që qytetarët presin nga ne.

Patjetër duhet ti kapërcejmë interesat e ngushta partiake. Të bashkohemi rreth objektivave më të larta – të qëndrueshme, të begata, për Maqedoninë evropiane dhe euro-atlantike. Për këtë qëllim të ndalohen konfrontimet personale dhe ndër-partiake. Pamë se çka na sollën ata.

Nuk ka asnjë justifikim, për të gjithë ata që nuk veprojnë në përputhje me këto objektiva.

Është për t’u lavdëruar prania e sotshme e liderëve dhe përfaqësuesve të partive në Këshillin e Sigurimit, kur diskutohet për çështje thelbësore të çdo shteti, për sigurinë.

Përgjegjësi për situatën në Republiken e Maqedonisë duhet të ketë. Për gjithçka që është bërë, dhe për çdo gjë që nuk është bërë, por që duhet të bëhet.

Ju bëj thirrje qytetarëve të Republikës së Maqedonisë për durim dhe racionalitet, dhe të mos futen në provokime. Unë ju siguroj që askush nuk do ti shpëtojë përgjegjësisë.

Republika e Maqedonisë ka qenë faktor i stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon dhe një shembull i bashkëjetesës ndëretnike.

Atë nuk duhet ta shkelim.

Ne duhet të ecim përpara, jo prapa, sepse Republika e Maqedonisë është i vetmi atdhe i përbashkët që kemi.” tha Ivanov.

Lajme të ngjashme

Back to top button