Ivanov: Opozita i ka fajet për gjendjen e këtillë në Maqedoni

Presidenti Ivanov në një intervistë për Anadolu Agency, shkakun e situatës dhe krizës politike aktuale në Maqedoni e arsyeton pasi që ky shtet është kandidat në Bashkimin Evropian gati për një dekadë, ndërsa më tej thotë se anëtarësimin e vendit e pengon edhe opozita maqedonase.

“Mos zgjidhja e çështjes së anëtarësimit të vendit në NATO krijoi një zhgënjim në shoqërinë e Republikës së Maqedonisë. Maqedonia nuk duhet të qëndrojë vetëm në vend dhe të pres që dikush të ndjej keqardhje dhe të marrë një vendim për të filluar negociatat”, nënvizon ai.

Ivanov duke theksuar se dhjetë vitet e fundit opozita maqedonase ka pësuar disfatë, pasi që nuk ka asnjë fitore, shtoi se, me mjete tjera mundohet të arrijë që të ndikojë pozitivisht tek popullata dhe të mobilizojë votuesit. Sipas tij, për të fituar votuesit dhe besimin e qytetarëve, duhet të ofrohet diçka që është më e mirë se ajo që ekziston.

Në pyetjen nga gazetari se a qëndron ndonjë shërbim tjetër pas opozitës, Ivanov thotë se atë procesi gjyqësor do ta vërtetojë, ndërsa më tej thekson se diçka e ngjajshme ka ndodhur edhe para 15 viteve, kur të njëjtit aktorë të njëjtën krizë e kanë shkaktuar. Ai shtoi se ndryshe nga kjo herë, dy krizat e mëparshme presidenti ka pasur mundësi të organizojë mbledhje të liderëve në kabinetin e tij dhe nëpërmjet dialogut të gjendet një zgjidhje, që të diskutohen edhe shkaqet, mirëpo edhe pasojat e çdo krize.

Ivanov duke theksuar se lideri i opozitës aspak nuk dëshiron të shkel në kabinetin e presidentit dhe se zgjidhja arrihet vetëm me dialog, e jo rrugëve me protesta e dhunë, deklaron se,

“Me sjelljet e opozitës nuk shohim integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, nuk shohim se qëllimi është Evropa. Këtu ndoshta përdoret situata aktuale për interesa personale nga lideri i opozitës, i cili është futur në një skandal. Nuk mundesh me një krim të tregosh krimin. Megjithatë, këtë herë lideri i opozitës aspak nuk dëshiron të shkel në kabinetin e presidentit, ai nuk dëshiron të bisedojë edhe me institucionet e shtetit. Mendon se në mënyrë institucionale mund t’i arrijë qëllimet që i ka për të ardhur në pushtet”.

Bashkimi i kufijve Kosovë-Shqipëri: retorikë e shekullit të 19 dhe të 20

Ivanov komentoi edhe deklaratën për bashkimin e kufijve Kosovë-Shqipëri nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe nga ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai shpreh bindje se disa politikanë përdorin këto raste për të mobilizuar votuesit.

“Është e panevojshme në ditët e sodit të përdoret retorikë e shekullit të 19 dhe të 20. Të gjithë ne mund të jemi të mëdhenj në Ballkan nëse ngritemi dhe investojmë në standarde, kriteriume dhe principe sa më të larta, e jo të mendojmë të zgjerohemi horizontalisht ose në territore të reja, e cila çdo herë shkakton konflikte në Ballkan”, thotë Ivanov.

Sipas tij, ideja evropiane është ajo që kontribuon në stabilitetin e rajonit, mirëpo atë e shqetësojnë standardet e dyfishta që ekzistojnë nga liderët evropian ndaj këtij rajoni.

“Deri tani, sikur të ishte realizuar Axhenda e Selanikut, e cila sugjeroi që i gjithë Ballkani të jetë në Bashkimin Evropian në vitin 2014 si viti simbolik i njëqind vjetorit të fillimit të Luftës së Parë Botërore, atëherë situata në gjithë rajonin do të ishte krejtësisht ndryshe, sepse rajoni jonë është rezultat edhe i historisë, por edhe i gjeografisë”, nënvizon Ivanov, duke u arsyetuar në atë se në këto territore bëjnë pjesë civilizime të ndryshme, kultura, fe dhe identitete të ndryshme, si dhe ‘Ballkani çdo herë jeton në paqe kur është i hapur, kur njerëzit komunikojnë, si dhe kur krijojnë konkurrencë dhe treg të përbashkët’.

Ivanov në vazhdim thotë se Maqedonia përshëndet çdo dialog ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si dhe i gëzon që pas një të kaluare dramatike, liderët e Kosovës dhe Serbisë arrijnë të diskutojnë.

Ai duke parashtruar pyetjen se si do të ndikojë kjo në Maqedoni, tha se një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare në Maqedoni janë me origjinë nga Kosova dhe ata preken kur në Kosovë ndodhin ngjarje të trazirave.

“Ashtu si do të përparojë dhe do të ecë përpara ai dialog, ashtu edhe ndjenjat nga ana e komunitetet shqiptar në Maqedoni do të ndryshojnë dhe do të jenë miqësorë ndaj serbëve dhe ndaj popujve tjerë që jetojnë në këto territore”, shprehet Ivanov.

Fitorja e partisë së re “Syriza” në Greqi, shpresë për zgjidhjen e kontestit për emrin –

Presidenti Ivanov, thotë se tani për tani, pika të reja në lidhje me kontestin e emrit me Greqinë nuk ka, mirëpo ai shpreson se pas një afati të gjatë të partisë greke “Syriza” në skenën politike ekzistojnë mundësitë e kontribuimit në zgjidhjen e kontestit, sepse ajo është elitë e parë që ka ardhur në skenën politike në Greqi, e cila nuk rrjedh nga periudha e Luftës së Ftohtë.

“Disi jemi të robëruar nga shfaqjet e elitës politike në Greqi, e cila ekziston nga koha e Luftës qytetare në Greqi dhe prej kohës së Luftës së Ftohtë kur ishim në anët e kundërta. Ata ishin anëtarë të NATO-s, ndërsa ne ishim pjesë e Jugosllavisë që i takonte Shteteve të Painkuadruara dhe ende tek një pjesë e politikanëve të Greqisë ekziston ajo përshtypje e së kaluarës. Ardhja e kësaj garniture të re të partisë Syreza, të cilët e vërejtë realitetin e ri, e vërejnë se popullsia e Maqedonisë dhe popullsia e Greqisë kanë marrëdhënie të mira shoqërore, biznesore, kulturore dhe bashkëpunojnë në shumë fusha. Ashtu që, gjeneratat e reja në Maqedoni dhe Greqi janë një realitet i ri, të cilën do ta ketë parasysh edhe Syreza në veprimet e ardhshme të saj”, deklaron presidenti Ivanov.

Ndërkohë, Ivanov shton se Greqia sot është e preukupuar me problemet ekonomike në vend, mirëpo shpresat ekzistojnë që pasi të lirohen nga problemet e tyre do të kenë më tepër kohë të ndryshojnë qasjen e tyre si fqinj ndaj Maqedonisë. “Nuk është e hijshme sot në shekullin e 21, që një shtet si Greqia, e cila është anëtare e Bashkimit Evropian, të nënçmoj për marrëdhënie bilaterale. Ne në një farë mënyre jemi viktimë e kushtëzimit që na bëhet nga ana e Greqisë në drejtim të emrit tonë, identitetit tonë dhe kulturës tonë”, thotë ai.

Ivanov nënvizon se kontesti me Greqinë është dërguar edhe në gjyqin e Hagës, mirëpo edhe pse, siç thotë ai, Maqedonia i plotëson të gjitha kushtet për anëtarësimin e vendit, shkaku i vetëm ngelet pengesa nga Greqia e cila vazhdon të kushtëzojë me mohimin e emrit, identitetit dhe kulturës së tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button