‘Bomba’ e opozitës përforcon dyshimet për vdekjen e Mlladenovit

Bomba e djeshme e opozitës që kishte të bënte me rrethanat e vdekjes së gazetarit Nikolla Mlladenov, ka aktualizuar sërish dyshimet e bashkëpunëtorëve të Mlladenovit, gazetarëve dhe opinionit. Kryeredaktorja e javores Fokus Jadranka Kostova, në emisionin e mbrëmshëm “Rruga Drejt”, bëri të ditur se një ditë përpara vdekjes, Mlladenov i ka dërguar mesazhe SMS jo të zakonshme një numri, pronarin e të cilit nuk deshi ta zbulonte.

“Një ditë e gjysmë, ose një ditë para ngjarjes, paraqiten sms të ndryshme, një dyzen, të cilat Nikolla i dërgon në një numër interesant telefoni, ndërsa më pas i dërgon tek telefoni i tij i dytë. Morëm informata, nuk mund të flas më shumë, por është shumë indikative se i kujt është telefoni. Edhe më indikativ është fakti se ky numër telefoni, që me vite ka ekzistuar, nuk ekziston më”, tha Jadranka Kostova, gazetare.

Kostova, Tomisllav Kezharovski dhe Frosina Remenski komentuan edhe konferencën për shtyp të ministres së brendshme Gordana Jankullovska, kryeprokurorit Marko Zvërlevski dhe prokurores Gordana Geshkoska, të cilët në vitin 2013, mohonin se llogaritë fiskale të gjetura në afërsi të makinës së Mlladenovit, Kezharovski i kishte dorëzuar në organet kompetente.

“Pyesni ata të Nova Makedonija-s për llogaritë fiskale. Ne llogari fiskale nuk gjetëm në vendngjarje”, u shpreh Marko Zvërlevski, Kryeprokuror Publik.

“Ata nuk i dorëzuan as në polici, as në gjykatë, as në prokurori”, tha Gordana Geshkoska, Prokurore.

Kezharovski e hodhi poshtë një gjë të tillë, duke theksuar se llogaritë fiskale ia ka dorëzuar policit të quajtur Dobre, i cili përmendet në një nga bisedat në bombën e djeshme. Për këtë, ai tha se ka edhe incizime, ndërsa kundër Zvërlevskit, Geshkoskës dhe Jankulloskës paralajmëroi padi penale për fshehjen e dëshmive.

“Ajo që dëgjuam, për mua është fshehje serioze e dëshmive. Unë u mendova gjatë, por tani jam i sigurt se ndoshta së shpejti do të dorëzoj padi penale kundër këtyre njerëzve për fshehjen e dëshmive. Unë nuk jam as kryeministër, aq më pak gjykatës që t’i jap vetes të drejtë të them se sa është dënimi për fshehjen e dëshmive, por ajo shkruhet në Kodin Penal. Për këtë shkak, këtë deklaratë e marr si ofendim personal, sepse unë e di çfarë kam bërë, para kujt e kam bërë dhe me çfarë qëllimi. Jo për të bashkëpunuar me policinë, por për të ndihmuar hetimin për kolegun Nikolla Mlladenov, ashtu siç do të ndihmoja për cilindo”, deklaroi Tomisllav Kezharovski, gazetar.

“Në një bisedë telefonike, të ashtuquajtur “të montuar”, përmendet emri Dobre nga policia rrugore. Mirë që përmendet ky njeri, sepse atij ia dhashë unë llogaritë fiskale… Nëse prokurori Zvërlevski dëshiron ta shohë se kujt ia kam dorëzuar llogaritë, mund të më thërrasë, unë do t’i tregoj fotografitë dhe materialin e incizuar”, u shpreh Tomisllav Kezharovski, gazetar.

Sipas Frosina Remenskit, vetë përbërja e kësaj konference për shtyp dëshmon se në Maqedoni nuk ka ndarje të pushteteve, që është parakushti kryesor për gjyqësi të pavarur dhe të besueshme.

“Në një shtet normal, kjo katërshe nuk do të ulej në tavolinë të njëjtë në këtë lloj konference, sepse pavarësia dhe mekanizmat e kontrollit mes njëri-tjetrit duhet të jenë të ndarë. Në këtë rast pamë diçka që nuk ishte përbërje e duhur. Ishte precedent. Mua më duket, sidomos pas analizës sime të këtij incizimi, në një dramë, të kapur në gënjeshtër”, theksoi Frosina Remenski, nënkryetare e LSDM-së.

Bashkëpunëtorja e ngushtë e Mlladenovit Kostova ngre një tjetër dilemë për faktin që Mlladenov nuk i ishte përgjigjur telefonatave dhe mesazheve. Ajo pyet autoritetet nëse ekziston mundësia që operatori telefonik të pamundësojë pranimin e telefonatave një numri të caktuar.

“Kishte një bisedë, Mile Janakievski i paraqitet Mishevës dhe e pyet a mund të bllokohet një numër i LSDM-së. Ja unë nuk jam eksperte në këtë teknikë dhe teknologji. Ndaj publikisht një dilemë, a mundet operatori telefonik ose dikush nga brenda të bllokojë një telefon të caktuar, të mund të mos pranojë telefonata? Le të përgjigjen ekspertët”, deklaroi Jadranka Kostova, gazetare.

Mysafirët e mbrëmshëm në “Rruga Drejt” u pajtuan se bomba e djeshme e opozitës dëshmon të paktën që shumë detaje rreth vdekjes së gazetarit Nikolla Mlladenov nuk janë zbardhur deri në fund. Indikacionet për fshehjen e mundshme të një goditjeje nga një tjetër veturë në veturën e Mlladenovit, sipas tyre, mund t’i japin krejt tjetër konotacion hetimit për vdekjen e gazetarit. Ata kërkojnë hapjen urgjente të një hetimi të ri, i cili, të mos kryhej nga funksionarët aktual./AlsatM

Lajme të ngjashme

Back to top button