Wohlers: Miratimi i Raportit hap përpara drejt BE-së

Miratimi i raportit për ngjarjet e 24 dhjetorit të vitit të kaluar është hap përpara drejt BE-së, vlerësoi ambasadori i SHBA-së në Maqedoni, Paul Wohlers.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas vizitës së sotme në Komunën e Zhelinës, Wohlers theksoi se ekzistojnë edhe çështje të tjera që duhet të zgjidhen, por ky është një hap me të vërtetë i mirë përpara.

“Edhe pse SHBA-ja nuk është anëtare e BE-së, kjo është shumë e rëndësishme për progresin e mëtejmë drejt Bashkimit Evropian. Ekzistojnë edhe çështje të tjera që duhet të zgjidhen si, Ligji për media dhe Lista zgjedhore, të cilat janë theksuar si të rëndësishme nga ana e BE-së, por mendoj se ky ishte hap përpara dhe jam i kënaqur që erdhi deri te zgjidhja e kësaj çështjeje. Politika vazhdon dhe, siç e dini, vazhdimisht ka probleme të reja dhe tema të cilat në afat të gjatë duhet të zgjidhen. Do të shohim se si do të zhvillohen gjërat në tetor dhe në të ardhmen, por ky ishte hap përpara me të vërtetë i mirë”, theksoi Wohlers. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button