Superkupa e Spanjës shkon për Barcelonën

Barcelona bën për vete trofeun e parë sezonal, pasi triumfon ndaj Atletiko Madrid në finalen e dyfishtë të Superkupës së Spanjës. 180 minuta lojë të kësaj përballjeje dhurojnë dy barazime, por falë golit në fushën kundërshtare katalanasit shpallen fitues.

Në “Camp Nou” skuadrat dhurojnë një sfidë spektakolare, me ritëm, grintë, raste për shënim dhe kartona të verdhë, por ai që vlen më shumë goli, mungoi. Përballja midis dy trajnerëve argjentinas shkon për Gerardo Martino që shijon dhe suksesin e parë në drejtimin e blaugranave. Për herë të parë Tata hedh së bashku në fushën e lojës Messi dhe Neymar, ndërkohë Simeone i beson në sulm ishit David Villa, i cili ka për detyrë të verë në presion mbrojtjen kundërshtare por edhe të ndihmojë skuadrën në daljet në kundërsulm.

Madje pjesa e parë ka qënë më e mirë për miqtë të cilët kanë rrezikuar katalanasit por Victor Valdes ka treguar një formë të jashtëzakonshme. Në pjesën e dytë Barcelona ruan mënyrën e lojës por duke rritur ritmin, dhe porta e Kurtua është gjithnjë në rrezik. Me kalimin e minutave dhe rezultatin që nuk zhbllokohet nervozizmi rritet.

Në minutën e 81 Filipe Luis gabon rëndë në duelin me patriotin Dani Alves dhe gjyqtari Borbalan i këshilluar nga asistenti e con përpara kohe në dhomat e zhveshjes numrin 3. Barcelona vijon të jetë këmbëngulëse dhe në minutën e 89 Leo Messi ka mundësinë ideale për të shënuar pas penalltisë të fituar nga Pedro.

Por 11 metra larg Kurtua, argjentinasi gjen shtyllën, duke konfirmuar se akoma nuk është kthyer lojtari që ka fituar 4 herë radhazi topin e artë. Megjithatë barazimi pa gola i mjafton Barcelonës që fiton trofeun e parë sezonal, ndërsa Atletiko Madrid lëshon sinjalin se është një skuadër për tu marë në konsideratë në garën për titull.

Lajme të ngjashme

Back to top button