Konflikti i Qeverisë me OJQ-të dëmton demokracinë

Në Maqedoni ka një konfrontim tejet unikat mes Qeverisë dhe organizatave jo-qeveritare, ata i ikin lidhjes njëra me tjetrën. Pa debatë të mirëfilltë nuk mund të përmirësohen relacionet mes këtyre dy subjekteve e aq më shumë Qeveria nuk do të investon në këtë sektor si dhe nuk do të ketë një progres normal demokratik. Kështu u shpreh sot Nikolla Bertolini, përfaqësues nga Brukseli, gjegjësisht i Programit për zgjërim në sektorin e shoqërisë civile në debatin e organizuar nga Qendra Maqedonase për Arsimim Evropian (QMAE) me temën “Politika win-win” në Shkup.
“Këtu qëndron dhe problemi në vendin tuaj. Si ta sjellim Qeverinë në një tavolinë diskutimi? Diçka duhet të ndërmerret, duhet të punojnë të dy palët për komunikim më të mirë dhe të hapur. Kjo është me rëndësi dhe duhet të punoni në atë se si ta bëni Qeverinë të punojë me ju dhe si ta bindni atë se puna me ju mund tju sjell dobi dhe tyre” tha mes tjerash Bertolini i cili tregoi eksperiencën e tij në vendet e tjera Ballkanike, sidomos në Kroaci dhe Mal të Zi duke përmendur dhe hapat të cilat OJQ dhe Qeveria duhet ti ndërmarrin për të pasur një shoqëri të zhvilluar dhe demokratike.

Drejtoresha e QMAE, Lidija Dimova, nga ana tjetër tha se Qeveria nuk e sheh sektorin civil si sektor i cili mund të punësojë njerëz, posaçërisht të rinjtë. 

“Deri më tani janë ndarë rreth 10 milion euro për programe të ndryshme punësimi por gjithnjë duke neglizhuar sektorin civil i cili në fakt, nëse Qeveria ndërmerr një organizim më të mirë të fondeve evropiane IPA do të mund të punësojë  rreth 8 mijë persona. Nga Buxheti ndahet një sasi minimale për përkrahjen e sektorit civil dhe ajo është 7,6 milion euro në vit që në krahasim me vendet tjera në BE apo kandidate për të është shumë minimale ” tha Dimova.

Fuere: Maqedonia në krizë të thellë
Në debatin e sotëm u prezantua edhe analiza e ish ambasadorit të BE-së në Maqedoni, Erwan Fuere, rreth situatës në Maqedoni. Fuere në analizën e tij shkruan se Maqedonia gjendet në një krizë të thellë. 

“Këto tensione zmadhohen me klimë të frikës te populli në përgjithësi, të gjeneruara nga ana e kontrollit gjithëpërfshirës të partisë kryesore në pushtet, e cila është në pushtet që nga viti 2006. Ky kontroll i përfshin jo vetëm organet kryesore shtetërore, gjykatën dhe administratën publike, por edhe të procesit zgjedhor, dhe para së gjithash të medieve. Kritika ndaj qeverisë nuk tolerohet. Ata të cilët marrin guximin që ta ngrenë zërin e tyre menjëherë etiketohen si ‘armiq të shtetit’”, analizon Fuere në analizën me titull “Maqedonia, vendi në krizë” e cila është publikuar nga Qendra për Studime Politike Evropiane në Bruksel. 

Lajme të ngjashme

Back to top button