Mediat e Maqedonisë, nën prangat e lakmisë së parave partiake

Përderisa ekziston tendenca e qartë e Qeverise së Maqedonisë për ti kontrolluar mediat me para dhe nga ana tjetër kemi media të cilat dëshirojnë të jenë servile ndaj saj atëherë asnjë Ligj nuk mund të ndihmojë në përmirësimin e gjendjes aktuale. Mediumet në Maqedoni ranë nga provimi i demokracisë pikërisht në periudhën e zgjedhjeve, ku u shënuan një sërë shkeljesh nga to, madje duke u shndërruar në donator të partive politike. Është ky një ndër konkluzionet e debatit të sotëm në Shkup, “Mediumet gjatë fushatës elektorale” të organizuar nga Qendra për Zhvillim të Mediumeve (QZHM) dhe USAID. Në të u prezantua dokumenti i QZHM ku sqarohet nevoja për ndryshime serioze në rregullat e përfaqësimit të mediumeve gjatë fushatës zgjedhore si dhe përmban rekomandime për intervenime në Kodin Zgjedhor të Maqedonisë.

“Asgjë thelbësore nuk do të ndryshojë me asnjë ligj, Maqedonia është vend jo-demokratik dhe nuk mund të prisni nga Qeveria të përdor teknika demokratike për të pasur zgjedhje të drejta kur asaj vet i konvenon kjo gjendje dhe shkon ta keqësojë atë.” tha mes tjerash Sasho Ordanovski.

Ai theksoi se reklamimi i Qeverisë në mediat tona dita-ditës është shtohet ndërsa nga ana tjetër mekanizmat për kontroll dhe profesionaliteti janë duke u zhdukur. 

“Këto dy trende brengosëse tregojnë se viteve të fundit situata në mediat është shqetësuese, posaçërisht kur flitet për keqpërdorimin e parave të qytetarëve nga Qeveria për nevoja reklamuese. Të gjitha raportet e jashtme madje dhe ata vendore e vërtetojnë këtë. Vetë Këshilli për radiodifuzion në raportin e fundit për zgjedhjet shkruan për politizimin e Servisit publik MRTV” tha Ordanovski.

Sipas tij, problemi qëndron në atë se të gjitha institucionet që janë të detyruara të kryejnë kontroll të keqpërdorimeve: duke filluar nga Komisioni shtetëror zgjedhor, Revizioni shtetëror, Prokuroria dhe të tjera, asnjëra nuk reagon, ndërsa në bazë të ligjit ata duhet madje me detaje të flasin për gjitha shkeljet që bëhen para, gjatë dhe pas zgjedhjeve. 

Sipas komunikologut Klime Babunski, problemin e krijojnë dhe nuk e zgjidhin ata që i votojnë ligjet në Parlamentin tonë, bashkësia ndërkombëtare nuk mund të ndikojë në përmirësimin e këtij problemi, ata vetëm theksojnë se ku qëndron e keqja me manipulimim me media.

“Ne nuk mund të flasim për liri të mediave kur kemi situatë që një medium vet vendos për atë se cilës parti do ti jep donacion e cilës jo. Mediumet në vend edhe kur nuk është kohë e zgjedhjeve janë të politizuara, e mos flasim gjatë fushatave elektorale. Arsyet për këtë dihen disa vite me radhë dhe si që e shohim as me Ligjin e ri për media nuk eliminohen shakatarët e kësaj gjendje, por madje dhe mbrohen. Nëse nuk ka media të lira nuk ka dhe zgjedhje demokratike, kjo në shtetet demokratike është e qartë prandaj i kanë qartë të definuara me ligj mënyrën se si sillen mediat, por kjo për fat të keq nuk ndodh te ne” tha Babunski.

“Çështja që dua ta theksoj është që nuk ka as debate politike nëpër media, posaçërisht gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, madje nuk e di kush nga ju për herë të fundit ka parë ndonjë ballafaqim mediatik. Këtu kanë faj politikanë të cilët nuk pranojnë dhe të dalin në debate, andaj te ne nuk ka debatë politike por ka monolog politik” tha deputetja e Partisë Liberale, Ristana Lalçevska. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button