RMV të harmonizohet me Direktivën e BE-së për mediat që të mos humbasë qasjen në programin Evropa kreative

Deri më 31 maj të këtij viti, Maqedonia do të duhet të harmonizojë direktivën për media të Bashkimit Evropian (BE) për të mos humbur qasjen në programet për financimin e prodhimit të përmbajtjeve, ndër të cilat është edhe programi Evropa kreative. Kështu paralajmëroi ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, David Geer, në prezantimin e djeshëm publik të projektit të BE-së “BE për lirinë e shprehjes: harmonizimi i legjislacionit kombëtar të mediave me ligjin e BE-së dhe standardet evropiane të medias”, raporton Meta.mk,  transmeton Portalb.mk.

Si formë e veçantë e mbështetjes, Komisioni Evropian i mundësoi Maqedonisë së Veriut zgjatje të afatit për respektimin e Direktivës për shërbimet mediatike audiovizive me 6 muaj, gjë që është shumë e rëndësishme të rerspektohet dhe të zbatohen reformat urgjente, shpjegoi Gir.

Ambasadori i BE-së në vend, David Geer, theksoi në këtë aktivitet se në vitin 2018 BE-ja pranoi direktivën për media, me qëllim vendosjen e rregullave të qarta që synojnë mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve dhe kundër gjuhës së urrejtjes.

Sa i përket vendit, ambasadori Geer theksoi se ai ende nuk është i gatshëm të futet në këto korniza dhe për këtë arsye BE-ja përmes këtij projekti po e ndihmon atë në harmonizimin e kornizës ligjore për të përballuar sfidat rregullatore dhe vetërregulluese, veçanërisht ato të lidhura me mjedisin e ri digjital.

Harmonizimi i direktivës për median, përveç medias, është i rëndësishëm edhe për krijuesit e përmbajtjeve audiovizive, të cilët mund të kërkojnë mbështetje nga BE-ja për punën e tyre përmes një sërë programesh, më i madhi prej të cilëve është Europa kreative (Creative Europe).

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti, në ngjarjen e djeshme tha se për të nuk ka media të papërshtatshme, qofshin ato të radiodifuzive, të shtypura apo online – media sociale, sepse të gjitha kanë funksionin dhe audiencën e tyre që i ndjek. Nëpërmjet projektit të ri, Ministria e Shoqërisë Informative dhe Administratës do të punojë në përmirësimin e kornizës ligjore – rregullimin dhe mbështetjen e mekanizmave vetërregullues në sferën mediatike.

Aliti theksoi se vendi ynë ka shënuar një kërcim në Indeksin e lirisë së shtypit të “Reporterëve pa Kufij”, që është shkak edhe për kënaqësi edhe për pakënaqësi sepse synimi është që situata të përmirësohet edhe më shumë. Reformat në hapësirën mediatike duhet të jenë të vazhdueshme dhe të mos përfundojnë me projekte specifike, por janë një “proces i gjallë” që duhet të përmirësohet vazhdimisht.

Ne si shoqëri kemi nevojë për një shërbim të pavarur radiodifuziv dhe rregullator që në mënyrë proaktive do të monitorojë situatën në media, tha ministri për shoqëri informatike dhe administratë.

Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska theksoi se liria e shprehjes është një nga prioritetet më të rëndësishme të sektorit të kulturës, pasi është kusht që autorët dhe artistët të inicojnë dhe udhëheqin debat publik shoqëror brenda dhe jashtë diskursit institucional dhe artistik. 

Ministria e Kulturës dhe Agjencia e Filmit janë partnerë me BE-në në kuadër të programit Creative Europe, si instrumenti i vetëm strategjik për BE-në për të mbështetur sektorin kulturor dhe audioviziv, ku ka progres të dukshëm në zbatimin e projekteve në nivel kombëtar dhe në nivel transnacional, rajonal dhe evropian, në të cilat marrin pjesë autorë Republika e Maqedonisë së Veriut.

Me avancimin e mbrojtjes ekonomike dhe të drejtave të punës së gazetarëve, të cilat janë pjesë e projektit që po fillon, promovohet kultivimi i lirisë së shprehjes si një nga vlerat bazë evropiane dhe është përgjegjësia jonë të arrijmë standardet evropiane që mundësojnë progresin e komunitetit tonë në të gjitha aspektet.

Zoran Trajçevski, drejtor i Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele (AShMAA), tregoi se rregullimi i mediave ekziston për të mbrojtur lirinë e mediave, interesin publik dhe diversitetin – pluralizmin në media. Për shkak të dallimeve mes medias tradicionale dhe asaj online, i njëjti kuadër ligjor nuk mund të zbatohet për të gjithë, prandaj Bashkimi Evropian, nëpërmjet një sërë direktivash dhe rregulloresh, ka zhvilluar mekanizma të cilëve duhet t’u përshtatet kuadri ligjor në vendin tonë.

Është veçanërisht e rëndësishme të sigurohet pavarësia e rregullatorit, financiare dhe politike, si dhe llogaridhënia dhe transparenca e tij, në mënyrë që ai të mund të zbatojë rolin e tij si një faktor kyç në mbrojtjen e lirisë së medias.

Në kuadër të projektit bëhet edhe një analizë për të përcaktuar nevojat financiare dhe nevojat e tjera për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate sfidave me të cilat do të ballafaqohet rregullatori gjatë zbatimit të legjislacionit të ri.

Udhëheqësja e projektit, Dierdre Kevin, tregoi se qëllimi kryesor i projektit është harmonizimi i kuadrit ligjor me Direktivën e BE-së për shërbimet audiovizive, për të siguruar kapacitetin institucional dhe pavarësinë e organit rregullator të AShMAA-së, për të përditësuar legjislacionin në mënyrë që të garantojnë stabilitetin financiar dhe pavarësinë e shërbimit publik, si dhe realizimin e një sërë të drejtash që lidhen me lirinë e medias dhe kushtet e punës së gazetarëve.

Nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës të konsultimeve publike, projekti do të hartojë propozime për ndryshime në ligjet që rregullojnë sferën mediatike, në mënyrë që të jenë në përputhje me standardet evropiane.

Është bërë një analizë e legjislacionit aktual dhe faza e parë e projektit do të përfshijë një krahasim me situatën në vendet e tjera, kështu që përmes diskutimeve, konsultimeve dhe analizave do të arrihet faza e dytë që do të nënkuptojë përmirësimin e kuadrit ligjor.

Platformat e ndarjes së përmbajtjes video mbulohen nga kuadri ligjor dhe këto aspekte do të duhet të përditësohen në përputhje me rregullat e reja të paraqitura nga Direktiva. Fusha të tjera janë mbrojtja e audiencës nga ndikimet e dëmshme dhe promovimi i vetërregullimit dhe korregullimit, deklaroi udhëheqësja e projektit.

Meqenëse kuadri ligjor në RMV është kryesisht i përafruar me versionet  paraprake të rregulloreve evropiane, sipas Kevin, ndryshime të vogla por kyçe do të nevojiten në fushat e qasjes së kufizuar dhe mbrojtjes së të miturve. Kështu, për shërbimet mediatike audiovizive, masat për mbrojtjen e audiencës nga përmbajtjet që nxisin urrejtje dhe dhunë do të duhet të shtrihen me mbrojtjen kundër nxitjes së terrorizmit.

Legjislacioni i ri parashikon liberalizim më të madh për mediat për sa i përket reklamave, por edhe masat për mbrojtjen e fëmijëve në lidhje me reklamimin e ushqimeve dhe pijeve që janë të dëmshme për shëndetin, përfshirë ato që lidhen me rritjen e nivelit të sheqerit.

Projekti “BE për lirinë e shprehjes: përafrimi i legjislacionit kombëtar të medias me ligjin e BE-së dhe standardet evropiane të medias” ka filluar shtatorin e kaluar dhe në ngjarjen e djeshme për herë të parë u prezantuan objektivat kryesore të këtij projekti. Bëhet fjalë për prezantimin e tij publik dhe është fillimi i një debati publik, i cili do të përbëhet nga një sërë konsultimesh me të gjithë aktorët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button