De Biasi: Ëndrra zgjati shumë

Trajneri i kombëtares ka fajësuar gabimet në vendosje të mbrojtësve për humbjen e pësuar në Rejkjavik nga Islanda.

Gianni De Biasi tha se edhe pse u besua te realizimi i një ëndrre për të shkuar në Kupën e Botës, trajneri italian shprehet se ajo zgjati më shumë se duhet. Kreu i pankinës së kuqezinjve ka fajësuar gabimet në mbrojtje, që ndihmuan Islandën të fitojë, është shprehur i pakënaqur me ritmin e lojtarëve të tij dhe ka vlerësuar përgatitjen fizike të kundërshtarit. Ndërkohë, për vazhdimësinë në Kombëtare, tekniku pranon se gjithçka është në dorën e presidentit Duka, i cili do vendosë nëse do ia ofrojë rinovimin apo jo…

Një tjetër humbje, por këtë herë pas një loje të dobët. Si e komentoni?

Luajtëm ndaj një kundërshtari që ishte më i përgatitur se ne si psikologjikisht, ashtu edhe fizikisht. Ata vrapuan më tepër në fushën e lojës dhe gabuan më pak. Paraqitja e sotme (dje) nuk mund të krahasohet me atë të Sllovenisë, pasi këtë herë nuk bëmë atë që duhet. Madje, ua lehtësuam fitoren me gabime në mbrojtje.

Çfarë i mungoi Shqipërisë në këto ndeshje, që e ndryshoi ndjeshëm paraqitjen e saj?

Janë disa elementë që kanë ndikuar, por në ndeshjen ndaj Islandës mund të evidentoj mungesën e dy futbollistëve mjaft të rëndësishëm për ne, Mavraj dhe Agolli. Edhe gabimet më të mëdha i bëmë pikërisht në këtë repart, në mbrojtje. Ndërkohë, na ka munguar edhe egërsia e duhur për ta fituar një takim. Si në Lubjanë, ashtu edhe sot, nuk kemi pasur agresivitetin e duhur në ritmin e lojës për të marrë tri pikët.

Nxorët Çanin, Dallkun dhe Bashën, për t’i zëvendësuar. Pse pikërisht ata?

Zëvendësimet i bëj kur mendoj se futbollisti që po luan, nuk është mirë dhe se duhet dikush tjetër në vendin e tij, qoftë edhe më i freskët fizikisht.

Sa ndikoi skema në fatin e kësaj përballjeje?

Nuk besoj se ka ndikuar negativisht, pasi nuk ishte ajo që bëri diferencën. Në fund ne patëm një modul akoma më ofensiv, duke kërkuar me çdo kusht që të shënonim, por nuk u arrit ajo që pritej dhe, siç u pa, nuk e evituam dot humbjen.

A ka përfunduar ëndrra për të shkuar në Brazil?

T’ju them të drejtën, kjo ëndërr zgjati më shumë se sa duhet. Unë gjeta një ekip të shpërbërë dhe kam mbledhur futbollistët nga fillimi. Ka mjaft lojtarë të rinj që kanë ardhur gjatë kohës që kam qenë unë trajner dhe kemi punuar për të formuar një ekip sa më kompakt. Kemi nisur një punë nga zero dhe për një ekip kombëtar nevojitet kohë që të arrijë në nivelin e duhur.

Sa optimist jeni për të ardhmen e kësaj skuadre?

Jam i bindur që ky grup lojtarësh do na bëjë të gëzojmë në të ardhmen, pasi ka treguar se është i aftë të zhvillojë ndeshje të mëdha dhe ka shumë cilësi. Thjesht kanë nevojë për kohë. Çështja më e përfolur tashmë është rinovimi juaj.

Mendoni se do jeni në krye të Kombëtares, edhe pas përfundimit të fazës kualifikuese?

Kjo nuk është në dorën time, por në dorën e presidentit Duka. Nuk e di nëse ai do dëshirojë bashkëpunimin dhe do kërkojë rinovimin e kontratës. Duhet të ulemi, do i parashtroj projektet e mia dhe kjo do të bëhet në ditët e ardhshme. Nuk e di se si do shkojnë bisedimet./ sporti1

Lajme të ngjashme

Back to top button