STEMAT SHQIPTARE
Aleksandar Matkovski
Autoriteti i padiskutueshëm i historiografisë maqedonase dhe ballkanike, autori i monografisë së famshme “Dervish Cara”, akademik Aleksandar Matkovski, që flet për kryengritjen më të madhe të shqiptarëve kundër Perandorisë turke në fillim të shekullit njëzet, shkroi një libër për stemat shqiptare, të titulluar STEMAT SHQIPTARE NË TË KALUARËN. Vepra u botua si separat i revistës shkencore Gjurmime albanologjike 2, 1969, në Prishtinë. Ky hulumtim është interesant jo vetëm pse është i pari i këtij lloji (dhe edhe pas botimit të saj nuk kemi të dhëna të jetë marrë kush në historiografinë shqiptare me stemat), por edhe për stilin dhe seriozitetin shkencor me të cilin autori i qaset historisë shqiptare. Portali ynë do ta botojë veprën në disa vazhdime dhe besojmë se kështu do ta zgjojmë kureshtjen e lexuesve e veçanërisht të studiusve edhe për punën e historianit të madh Aleksandar Matkovski, por edhe për lëndën e cila trajtohet në këtë vepër.
NISMË DHE NXITJE PËR HISTORIANËT SHQIPTARË
H y r j e
Duke hulumtuar nëpër arkivat e bibliotekat e Evropës Perëndimore e të Jugosllavisë, ku hulumtoja stemat maqedonase, hasja edhe në stema shqiptare dhe turke dhe e pashë të udhës t’i mbledh edhe ato për shkak se e dija se as për stemat maqedonase, as për turket, e as për shqiptarët nuk është shkruar. Rezultat i hulumtimit të këtillë që zgjati disa vite, janë botimet e librave e të artikujve: Stemat e maqedonasve në të kaluarën, botim i Institutit të historisë nacionale në Shkup, Paraqitje heraldike e perandorisë osmane në Evropën Perëndimore, e botuar në Glasnik të Institutit të historisë nacionale në Shkup dhe Stemat shqiptare në të kaluarën. Me sa di unë për stemat shqiptare nuk ka shkruar deri tani askush as në vendin tonë, as në Shqipëri, e as në Evropë, që do të thotë se ky është kontributi i parë për heraldikën shqiptare.
Por, këtë kërkim nuk e konsideroj kurrsesi si të plotë, respektivisht nuk mendoj se janë hulumtuar të gjitha stemat shqiptare. Besoj, madje jam edhe i bindur, se mund të gjenden edhe shumë stema të tjera shqiptare; po për një punë te këtillë do të nevojiten hulumtime speciale. Stema të tjera shqiptare mund të kërkohen në burimet shqiptare, e posaçërisht në Itali, ku patë ikur një numër i madh feudalësh shqiptarë pas pushtimit turk të Shqipërisë dhe ku botoheshin libra të ndryshëm në formë memoaresh, udhëpërshkrimesh dhe historish, në të cilat botoheshin edhe stemat, qoftë të disa familjeve feudale shqiptare, qoftë stema territoriale shqiptare. Për sa u përket burimeve jugosllave, ato janë thuajse tërësisht të hulumtuara dhe nuk besoj se në to do të mund të zbulohen stema të reja shqiptare. Edhe pse ky studim nuk i ka mbledhur e studiuar të gjitha stemat shqiptare, besoj se do të jetë nxitje bazë për studimin e mëtejshëm në këtë drejtim dhe një kohë të gjatë mund të shërbejë si doracak i vetëm i heraldikës shqiptare.
- A kanë pasur popujt ballkanikë stema shtetërore e territoriale deri më ardhjen e turqve?
Heraldika dhe historia vërtetuan moti se te popujt ballkanikë deri me ardhjen e turqve nuk kanë qenë të formuar stemat shtetërore e territoriale.
Vërtet ndikimi heraldik nga Evropa Perëndimore filloi të ndihet në Gadishullin Ballkanik, pastaj filluan të duken edhe stemat e para familjare, të qyteteve e të provincave, por ky proces u ndërpre qysh në fillim me ardhjen e turqve që nuk ishin nën ndikimin heraldik të Evropës Perëndimore, sepse, pos të tjerave, edhe feja ua ndalonte paraqitjen figurative të qenieve të gjalla. Edhe popujt ballkanikë që kishin një kohë të gjatë shtet të formuar feudal, ose nuk kishin stema shtetërore e territoriale ose ky zhvillim ishte shumë i varfër. Kjo vërtetohet me një varg dokumentesh historike të asaj kohe. Në këto dokumente nuk përmenden as turnirët, as heroldet, as stemat shtetërore ose territoriale. Në një udhëpërshkrim të vitit 1330 nga një prift katolik që kish kaluar nëpër Gadishullin Ballkanik dhe që kish dhënë disa përshkrime të stemave të disa qyteteve nga Kroacia, Dalmacia dhe Bosnja, nuk përmendet gjë për ndonjë stemë shtetërore a territoriale serbe, boshnjake, kroate ose bullgare.[1] Qysh Stojan Novakoviqi në studimin e tij vërtetoi se ndikimi heraldik nga Evropa Perëndimore ka filluar të vijë në Gadishullin Ballkanik vetëm kah mesi i shekullit XIV.[2] Për këtë shkak te sllavët e Jugut as që ekzistonte terminologjia heraldike. Termi më i lashtë sllav që shënonte stemën ka qenë shprehja “znamenie”, që përmendet për here të pare në vitin 1406; pastaj fjala “stit” rreth vitit 1582, kurse në fundin e shekullit XVI te disa popuj ballkanikë (Kroaci e Bosnje) përdorej edhe fjala hungareze “cimer”[3]. Kur Maqedonia, Bullgaria, Serbia dhe Bosnja ranë nën pushtetin turk, u zhdukën edhe këto terma (shprehje) që ishin në përdorim të përkohshëm. Më vonë kur përsëri filloi te ngjallet heraldika në shekullin XVIII në radhët e sllavëve të jugut, që ishin në përbërjen e Monarkisë austro-hungareze, terminologjia prapë nuk u caktua. Vitezoviqi në “Stematografinë” e tij përdori fjalën latine “arma”, kurse Zhefaroviqi fjalën “izobrazenie” e fjalën “znamenie”, që do të thotë se ende nuk ish në përdorim “grb” (stemë), që erdhi më vonë kah fillimi i shekullit XIX, nga Rusia, Në “Putošestvien” e tij Joakim Vujiqi e përdori për herë të parë fjalën “grb” në vitin 1826. Kjo fjalë pastaj hyn edhe në Kushtetutën e Sretenit në vitin 1835; më vonë e morën edhe kroatët, e prej çlirimit të 1878-ës e morën edhe bullgarët dhe kështu u bë fjalë e përgjithshme sllave; këtë para rusëve e përdornin çekët, sllovakët e polakët.[4]
Shteti bizantin që kishte zakone e kulturë të ndryshme nga popujt perëndimorë dhe që konsiderohej më kompetent të ketë fjalën e fundit në politikë, nuk donte të pranojë këtë zakon perëndimor e të mbajë stema.[5] Mirëpo, shteti bizantin rezistoi me sukses kundër këtij ndikimi deri me vendosjen e Perandorisë latine në vitet 1204-1261, kur u bart ndikimi perëndimor në Bizant. Ky ndikim u forcua edhe më tepër kur Moreja, Epiri dhe Shqipëria ranë nën pushtetin e Karlos I të Anzhuit.[6] Mirëpo, edhe pse Bizanti filloi nën këtë ndikim të përdorë stema, mund të themi se deri me Paleologët nuk dihej për to. Vërtet, ato filluan të paraqiten, e midis tyre edhe stemat shtetërore bizantine, që filluan të duken në shekullin XIV ose në fillimin e shekullit XV, por me rënien e Bizantit nën Turqinë ky proces u ndërpre.[7]
Edhe në shtetin serb të mesjetës ky proces heraldik filloi, por u ndërpre me ardhjen e turqve. Në Serbinë e Nemanjiqëve gërshetohej ndikimi bizantin dhe i Evropës Perëndimore, por as njëri as tjetri nuk mund të mbisundonin. Duke hyrë në rrethin e kulturës bizantine, Serbia, sipas shembullit të Bizantit, një kohë të gjatë nuk dinte për përdorimin e stemave. Kjo duket edhe nga të hollat e atëhershme që kanë fytyra shenjtërish e sundimtarësh, si të hollat bizantine, por nuk kishin stema.[8] Në kohën e perandorit Dushan u ndie ndikim më i madh heraldik i Evropës Perëndimore për shkak se me depërtimin e turqve në Gadishullin Ballkanik, Dushani gjithnjë e më shumë mbështetej në politikën e shteteve perëndimore. Pra, para Dushanit në Sërbi nuk përdoreshin as shenja (sqyta) fisnikësh, as stema shtetërore territoriale.[9] Në kohën e Dusahnit ao filluan të paraqiten, por nuk ishin ende të formuara. Dukja e stemave u bë nën ndikimin e Evropës Perëndimore në pjesët perëndimore. Në këtë kohë duket shqiponja me dy krerë dhe kryqi me katër gjysmërrathë në kënde, që më vonë do të futen si elemente në stemën serbe. Të dy këto embleme e kanë prejardhjen prej Bizantit.[10] Para fundit të shekullit XIV shqiponja e bardhë me dy krerë ishte mjaft e njohur në Serbi, jo si emblem i Dushanit, por si emblemë i fisnikut të Dushanit, Oliver, prandaj mund të thuhet se ky emblemë stemë e Serbisë ose e dinastisë së Nemanjiqëve, sepse ka qenë vetëm stoli në teshat e despotit dhe ka pasur rëndësi dekorative.[11] Në atë kohë, te fisnikët serbë, për herë të parë duket edhe luani si emblemë, pikërisht në vulën e Vuk Brankoviqit prej Shkupit, në vitin 1388. përveç Novakoviqit edhe Iriçeku paraqiti shumë të dhëna për kulturën mesjetare serbe, por nuk flet për stemën serbe, përkundrazi thotë: “nuk ka të dhëna se në këtë periudhe (1196-1371) ka ekzistuar ndonjë farë steme shtetërore serbe, siç nuk ekzistonte as heraldika bizantine”.[12] Po kështu ishte edhe në kohën e knjaz Llazarit dhe të Gjuragj Brankoviqit; kur në vitin 1427 despot Stefanin e trashëguan Brankoviqët, shqiponja me dy krerë dhe kryqi me gjysmë-rrathë në kënde nuk ishin embleme shumë të preferuara, por dallohej luani që ish emblem familjar i Brankoviqëve.[13] Me shkatërrimin e Serbisë në vitin 1459 humbi gjurma e të tri emblemeve (shqiponja me dy krerë, kryqi dhe luani) që deri atëherë përdoreshin si embleme stolisjeje e familjare.
VAZHDON
[1] Josip Smodlaka, Zemlja Juznih Slovena i njihovi grbovi oko god. 1330. u “ Putu oko svijeta “ jednoga spanjolskoga flatra. II Prilog vjesniku za arheologiju i historju dalmatinski, sv. I. god. 1928/29, Split 1931, 22.
[2] Stojan Novakovic , Heraldicki obicaji kod Srba u primeni i knjizevnosti. Godisnjica Nikole Cupica VI/1884, Beograd, 71.
[3] Solovjev, Istorija srpskog grba “Srpska misao”, Melburn 1958, 11.
[4] Po aty, 11- 13.
[5] Aleksa Iviq, Stari srpski picati i grbovi. Prilog sprskoj sfrangistiki i heraldici. Librat e Matica Srpskës 40. Novi Sad 1910, 18.
[6] Novakoviq, vep. e cit, 11.
[7] Solovjev, Les amblemes heraldiques de Bizance et les Slaves. Byzance avaitelle und blason? Prahe 1935. Seminaruim Kondakovianum. Reciell d’etudes d’archelogie. Historie de l’art. Etudes byzantines 7. Solovjev, O postanku srpskog grba. Poseban otisak iz Sisicevog zbornika, Zagreb 1929, 542-543.
[8] Solovjev, Zastava Dusana nad Skopjem god. 1339, GSND 9-10, Skopje 1936, 346.
[9] Шафарик, Додаток о приложенимъ грбовима српски земаля и владателяр гласник друштва српсе словености, IX, Београд 1857, 347.
[10] Solovjev, O opsatnku srpskog grba, 54,
[11] Novakoviq, vep. e cit., 42; Solovjev, Istorija srp. Grba, 139.
[12] Jiriçek, Istorija Srba II, Beograd 1952, 4.
[13] Solovjev, Istorija sprskog grba, 142. Novakoviq. vep. e cit., 53-71.
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.