Stemat e familjes Dukagjini

Lexo pjesën paraprake: Stemat private-familjare shqiptare

Edhe te stemat e familjes Dukagjini kryesisht dominon mburoja varjaze që ka qenë e prerë e cunguar nga ana e majtë (fig. 4, 5, 9 dhe 11), vetëm në dy stema mburoja është trekëndëshe, por nuk është e cunguar (fig. 17 dhe 26). Prej të gjitha stemave të Dukagjinit vetëm njëra ka formë katrore ose spanjolle (fig. 6).

Ngjyra e mburojës është e verdhë e artë (fig. 4, 6, 9, 17 dhe 26). Vetëm në stemat në fig. 5 dhe 11 ngjyra e mburojës është e bardhë.

Emblema e familjes Dukagjini është shqiponjë njëkrenare (përkundrejt asaj të familjes Kastrioti ku shqiponja është dykrenare) e zezë me fletë të hapura të kthyera kah e majta (fig. 4, 5, 6, 9, 11, 17 dhe 26). Nuk ekziston stemë e Dukagjinit me emblemë tjetër. Këtu duhet të theksohet se sipas rregullave heraldike të gjitha figurat njerëzore e të kafshëve patjetër duheshin të jenë të kthyera kah ana e djathtë heraldike, d.m.th. në të majtë të shikuesit.[1] Në qoftë se figura vendoset në mënyrë të kundërt, atëherë kjo është pikëpamja heraldike pa vend dhe është punuar prej ndonjërit që nuk i ka njohur sa duhet rregullat e heraldikës. Përjashtim nga kjo është bërë ndonjëherë vetëm në heraldikën gjermane, por shumë rrallë.[2] Për shkak se shqiponja e Dukagjinit është kthyer gjithmonë në të majtë, kjo do të thotë se heraldikisht është krejtësisht me vend.

Të gjitha stemat e Dukagjinit kanë helmeta (fig. 4, 5, 6, 9, 11, 17 dhe 26), krejt të ndryshme.

Vetëm tri stema të Dukagjinit nuk kanë kurorë (fig. 9, 11 dhe 17), kurse të tjerat (fig. 4, 5, 6 dhe 26) kanë pasur kurora princërore.

Në stemat e Dukagjinit ka pasur zakonisht drapëri me ngjyrë të zezë e të verdhë (fig. 5), kurse dy stema janë pa drapëri. Edhe drapëria flet për fisnikërinë ushtarake të familjes së Dukagjinit.

Edhe stemat e familjes Dukagjini zakonisht nuk kanë japonxhë, që u duk në shek. XVI, që do të thotë se edhe kjo familje shqiptare ka qenë e vjetër, pra para shek. XVI. Japonxhë nuk kanë stemat në fig. 4, 5, 9, 11 dhe 17. Vetëm në stemat në fig. 6 dhe 26 ka japonxhë, e pikërisht me ngjyrë të zezë të verdhë, që heraldikisht është me vend për shkak se mburoja është e verdhë e emblema e zezë, e sipas rregullave të vjetra të heraldikës ngjyrat e stemës e të emblemëit duhet të jenë edhe ngjyra të japonxhes.

Mbi helmetë e stemave të Dukagjinit është më së shpeshti shqiponja e verdhë me fletë të hapura të kthyera kah e majta (fig. 4, 6, 9 dhe 26). Vetëm dy herë si mbihelmetë ka shqiponjë të zezë (fig. 5 dhe 11), e një herë nuk ka kurrfarë mbihelmete.

Shiritat në stemat e Dukagjinit janë të ndryshme e të vendosura mbi ose nën stemë. Vetëm te dy stema nuk ka kurrfarë shiritash (fig. 6 dhe 9).

Në shirita ose jashtë shiritave (që nuk është në rregull) janë shkruar shënimet:

DVCAGNOVICH (fig.4, 11, 17)

Ducaginogichc (fig.9)

Ducaginovich (Dukadžinović) (fig.26)

Dukassinovich (fig.5)

 

Si po shihet pre këtyre mbishkrimeve, si edhe prej shkrimeve te stemat e Kastriotëve, mbiemrat e këtyre familjeve zakonisht janë sllavizuar (për shembull, Dukagjinoviq, Kastriotiq). Kjo vlen ngase përpiluesi i parë i koleksionit ilir, dubrovnikasi Petar Ohmuçeviq, më vonë admiral spanjoll Don Pedro Ohmuçeviq, edhe Kastriotët edhe Dukagjinët i konsideronte si feudalë të sllavëve të Jugut e jo shqiptarë. Fjala cimer që shpesh haset në mbishkrime është fjalë hungareze që ka kuptimin “stemë”.

[1] Gl. her. viti II, nr. 3’4, mars-aprill 1938, Zagreb, 13. Kamenčeva, v.c. 57.

[2] Aрсеньевъ, v.c. 142

Lajme të ngjashme

Back to top button