Ndryshimi i simboleve shtetërore – zhvendosja vëmendjes nga problemet reale
Debati për ndryshimin e simboleve shtetërore u hap pas deklaratës së liderit të BDI-së se ishte diskutuar pa specifikuar kur dhe me kë. Politologu Vlladimir Bozhinovski thotë se kjo deklaratë shërben për të zhvendosur vëmendjen nga vetoja e Bullgarisë dhe problemet më të mëdha me të cilat përballet vendi, shkruan REL në gjuhë maqedonase, transmeton Portalb.mk.
Pavarësisht nëse, kur dhe me kë partneri i vjetër i koalicionit qeveritar Ali Ahmeti, ka biseduar për ndryshimin e simboleve të shtetit, ai e hap temën në opinion publik për nevojën, por edhe për rezultatet pozitive e negative të ndryshimit të himnit, flamurit dhe stemës.
Disa analistë theksojnë se videoja e shkurtër që u botua në media në të cilën kreu i BDI-së Ahmeti thotë se ishte diskutuar ndryshimi i himnit, stemës dhe flamurit është zhvendosje klasike e vëmendjes nga problemet me të cilat përballet vendi siç janë bllokimi i integrimit evropian, mungesa e vaksinave dhe rritja e çmimeve të produkteve.
Politologu Vlladimir Bozhinovski thotë se simbolet shtetërore shërbejnë për të identifikuar shtetin në botë dhe se tani nuk është koha për të hapur një temë të tillë sepse në situatën aktuale ka më shumë çështje prioritare që duhet të adresohen. Në një situatë kur akoma kemi krizë shëndetësore, në një kohë kur jemi në krizë ekonomike, kur ka një mori problemesh të tjera, imponimi i debatit mbi simbolet shtetërore është ikje nga problemet reale, thotë Bozhinovski.
“Ngritja e kësaj çështjeje përkoi pikërisht me veton nga Bullgaria dje. Nuk është as koha dhe as momenti për të biseduar tani për ndryshimin e simboleve shtetërore. Më duket si zhvendosje t vëmendjes nga vetoja e Bullgarisë”, thotë Bozhinovski.
Analisti politik dhe gazetari Xhelal Neziri thotë se kjo temë nuk është prioritet, por pasi që tashmë po hapet duhet të theksohet se shqiptarët etnikë nuk identifikohen me himnin shtetëror.
“Për faktin se ai simbol i shtetit si dhe flamuri ishin simbole të miratuara pa konsensus etnik. Është fakt që në procesin e ndërtimit të shtetit, shqiptarët nuk ishin përfshirë ose vetë ishin përjashtuar nga procesi, këto tema janë gjithmonë tema rezervë për hapjen nga partitë etnike” tha Neziri.
Një nga njerëzit e parë në BDI, Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, duke dhënë shpjegim plotësues për deklaratën, vuri në dukje se Ahmeti kishte menduar në bisedimet e zhvilluara 20 vjet më parë dhe se ndërkohë kishte një ndryshim të stemës së vendit.
“Por nuk ka negociata të tilla, kurse është e qartë se çështja e himnit nuk është një element inkluziv në vend dhe kjo ndjehet në garat sportive kur çdo gjë na bashkon, përveç himnit ku një pjesë e madhe e qytetarëve nuk shihet brenda, nuk përmenden. Ndërsa jemi duke ndërtuar një shoqëri multietnike për të cilën të gjithë na e kanë zili”, tha Osmani në një emision të TV 21.
Bozhinovski thotë se mund të ketë debat në atë temë, por për këtë duhet të zgjidhet momenti i duhur, ndërsa ai nuk është tani, veçanërisht tani kur BDI e paralajmëroi ribrandimin e partisë.
“Partitë etnike, kur i lënë ato të drejta që i premtojnë para zgjedhjeve, duhet të bëhet një ribrandim. Për shkak se supozoja se kjo “agjendë e gjelbër” e shënon atë ribrandim, ku BDI ngadalë po shndërrohet nga parti etnike në parti qytetare, sepse partitë e tilla kanë fushë të gjerë veprimi, ndërsa partia etnike është e përqendruar në elementet etnike”, tha Bozhinovski.
Ndryshimi i parë i stemës shtetërore që përdoret qysh nga viti 1946 u bë në vitin 2009 kur ylli i kuq u hoq nga stema socialiste e Maqedonisë.
Më vonë në vitin 2014, koalicioni i atëhershëm midis VMRO-DPMNE dhe BDI në seancë qeveritare miratoi një propozim për të ndryshuar stemën e shtetit me luan të artë me një sfond të artë. Asokohe, ky ndryshim i stemës ishte i pranueshëm për BDI-në sepse luani kishte qenë në stemat e shumë familjeve të vjetra dhe të mëdha shqiptare. Sidoqoftë, ai propozim nuk kaloi në Kuvend, ku për ndryshimin e stemës nevojitej shumicë prej dy të tretave.
Propozimi nga BDI dhe VMRO-DPMNE për stemën e re të Maqedonisë në vitin 2014
Shembuj botërorë tregojnë se simbolet shtetërore nuk ndryshojnë shpesh. Disa vende perëndimore kanë më shumë se njëqind vjet përdorimi tradicional të simboleve shtetërore.
Për shembull, Marseleza është këngë e shkruar në vitin 1792 dhe u bë himni kombëtar i Francës në vitin 1795. Për shkak të karakterit ushtarak të këngës, e cila ishte shkruar në prag të luftës me Austrinë, teksti ka qenë i kritikuar si agresiv, por ka mbetur i pandryshuar si simbol i Revolucionit francez.
Himni gjerman është shkruar në vitin 1922, ndërsa si këngë e ka përdorur partia naziste e Hitlerit, për shkak të tonit negativ sot përdoret vetëm strofa e tretë. Dy strofat e para nuk janë të ndaluara, por ato kurrë nuk këndohen në raste zyrtare, sepse këndimi i strofës së parë mund të interpretohet si shprehje e një qëndrimi politik të djathtist. Himni turk u shkrua në vitin 1921 dhe deri më sot është himni i pandryshuar kombëtar.
Sot mbi Maqedoninë është këngë e shkruar nga Vllado Maleski në vitin 1941 dhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore u miratua si himn i Maqedonisë në kuadër të ish Jugosllavisë, kurse pas pavarësisë në vitin 1992 me ligj u shpall himni i Maqedonisë së pavarur.