LUANI DHE SHQIPONJA (Stemat shqiptare)

Lexo pjesën paraprake: Stemat private-familjare shqiptare

Prej kafshëve emblemë më i shpeshtë në stemat e heraldikës botërore po ashtu është luani. Kjo është figura më e dashur në heraldikë dhe pikërisht duke qëndruar në dy këmbët e prapme.[1] Sipas koleksionit të stemave që ruhet në Matica srpska, luanin e kanë si simbol këto familje: Kotromaniqi, në fq. 19, Brankoviqi, në fq. 24, Vladimiroviqi, në fq. 40, Alaupoviqi, në fq. 107, Shubiqi në fq. 111, Frankopaniqi në fq. 126, Tomanoviqi në fq. 137 e të tjerë.[2]

Jo vetëm në stemat e familjeve-private, por edhe në stemat territoriale luani është figurë e shpeshtë. Kështu luani është emblemë në stemat territoriale: të Rusisë, të Rumanisë, të Bullgarisë, të Shqipërisë, të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Venedikut, të Austro-Hungarisë e të tjerave.[3]

Pas luanit figura më e preferuar në heraldikë ka qenë shqiponja në variante të ndryshme, e më së shpeshti shqiponja dykrerëshe që ka arritur prej Orientit në Bizant, pastaj kaloi në Serbi (shqiponjë e bardhë dykrerëshe), Shqipëri, Rumani, Mal të Zi, Gjermani, Holandë, Rusi, në dinastinë e Savojës, e të tjerë.[4]

Kah mesi i shek. XV shqiponja dykrerëshe u shndërrua  në emblemë të Bizantit që ishte duke u shkatërruar. Shqiponja dykrerëshe mund të shihet në përmendore bizante nga Stambolli si edhe në vulat e Paleologëve të fundit që ikën në Itali. Shqiponjën dykrerëshe si emblemë e kishin edhe shumë sundimtarë të tjerë që kishin çfarëdo lidhje me Bizantin, si: sundimtari i Krimesë Jugore, Aleseji në vitin 1475, despoti Mirçe nga Vllahia (vdiq në vitin 1418) dhe Kastriotët në Shqipëri. Dihet po ashtu se knjazi i madh rus, Jovani III, që u martua në vitin 1472 me Sofia Paleologen, të bijën e despotit Toma nga Moreja, filloi të përdorë shqiponjën dykrerëshe krahas me emblemën e vjetër të Moskës Sh. Gjergjin në kalë. Kështu, prej fundit të shek. XV kjo shqiponjë dy krerësh u bë stemë e Rusisë që konsiderohej si trashëgimtare ortodokse e Bizantit.[5]

Pas shkatërrimit të Bizantit shqiponja dykrerëshe qëndroi vetëm në Mal të Zi e Shqipëri. Kështu, për shembull, shqiponja dykrerëshe e Skënderbeut, që pastaj u bë stemë familjare e familjes Kastrioti, ka qenë në fushë të verdhë, familja Muzaka ka pasur shqiponjë dykrerëshe me yll, Ivan Cërnojeviqi në një kartë të vitit 1485 ka ngjitur një shqiponjë dykrerëshe, nipërit e Skënderbeut në Venedik po ashtu kanë pasur shqiponjë dykrerëshe.[6]  Di Kanzhi po ashtu vërteton se edhe Kastriotët e Napolit kanë pasur shqiponjë të zezë dykrerëshe në fushë të verdhë, kurse shqiponja dykrerëshe e Cërnojeviqit ka qenë shqiponjë e artë dykrerëshe në fushë të kuqe. Stemë të atillë mbanin edhe trashëgimtarët e Cërnojeviqëve në Venedik.[7]

Në kishën Sh. Dimitrie në manastirin e Markut në Maqedoni gjendet një pllakë. Për këtë pllakë Kondakovi thotë se është shqiponjë dykrerëshe e gdhendur dhe thotë se shqiponjën dykrerëshe e ka dhuruar perandori bizantin, Androniku, si stemë Andria e Muzakës për shkak të ngadhënjimit të tij mbi serbët, së bashku me titullit despot të Epirit.[8]

Po kështu edhe shqiponja dykrerëshe e kryqi me nga një gjysmë rrethi në çdo kënd (që më vonë do të hyjnë si elemente të stemës serbe) e kanë prejardhjen prej Bizantit.[9] Këtu duhet të theksoj se para fundit të shek. XIV shqiponja e bardhë dykrerëshe ka qenë mjaft e njohur në Serbinë e atëhershme, e para fundit të shek. XV edhe në Shqipëri.[10] (shih fig. 1)

Prej kësaj shihet se shumë familje e shtete si emblemë e kanë pasur shqiponjën dykrerëshe, si në Gadishullin Ballkanik, ashtu edhe në Evropë. Dy familje, dy popuj ose dy shtete mund të kishin krejtësisht emblemëe të njëjta në stema, por në një rast të atillë ngjyrat nuk duhet të ishin të njëjta. Çdo ndryshim i ngjyrës jep stemë të re edhe pse ka emblemë të njëjtë. Helmeta nuk ka qenë pjesë e detyrueshme e stemës. E kanë pasur stemat private dhe vetëm ato familje që kanë pasur fisnikëri ushtarake, kurse në stemat territoriale asnjëherë nuk ka pasur helmetë. Helmeta është paraqitur më vonë, në shek. XIV—XV, në kohën e kalorësisë më të zhvilluar.[11] Prandaj stemat më të vjetra nuk kanë pasur helmeta. Helmeta zakonisht ka qenë në përpjesëtim 2/3 deri më 1/2 të gjatësisë së mburojës.[12] Helmeta gjithmonë ka pasur ngjyrë hekuri dhe vendosej në profil, e kthyer kah ana e djathtë heraldike, respektivisht në anën e majtë nga shikuesi.[13] Prandaj të gjitha stemat e Kastriotit dhe të Dukagjinit kanë pasur helmeta të ndryshme. Kjo vërteton se këto familje kanë pasur fisnikëri ushtarake, përkundër fisnikërisë tjetër qytetare e kishtare që nuk kishin të drejtë të mbajnë mburojë në stemën e tyre, e kjo do të thoshte se ata janë bërë fisnikë jo për shkak të meritave ushtarake, por për shkak të pasurisë, të meritave kishtare, politike e të tjera.

Në stemat shqiptare helmetat kanë qenë të ndryshme:

Stemat

Krejt kjo dëshmon për karakterin ushtarak të fisnikërisë shqiptare që mbisundonte në Shqipëri.

Në stemat shqiptare ka pasur kurora, si në stemat territoriale, ashtu edhe në ato familjare. Kurorat e stemave familjare janë më të vogla, më pak të stolisura dhe janë të vendosura mbi mburojë. Ka pasur 5 lloje kurorash që sipas formës së tyre u përgjigjeshin dispozitave të rrepta të hierarkisë oborrtare: perandorake, princore, të kontëve, të baronëve, te dukëve e kurora të të gjithë njerëzve të oborrit mbretëror. Kurora perandorake e mbretërore ka qenë e stolisur shumë begatshëm dhe ka pasur shtatë degë prej të cilave 5 shiheshin, kurse kurora e princit (knjazit) ka pasur 5 degë prej të cilave 3 shiheshin.[14]

Te stemat territoriale të Shqipërisë kurorat kanë qenë perandorake ose mbretërore:Stemat2

 

Te stemat familjare kurorat kanë qenë princërore:Stemat 3

 

Shiriti qëndronte rrotull, nën ose mbi stemën, kështu që zakonisht skajet e tij kanë qenë të mbledhura si drapëri. Shiriti shërbente që në të të shkruhet diçka. Në shiritat e stemave territoriale shkruhej emri i popullit ose i territorit. Në shiritat e stemave familjare zakonisht shkruhej ndonjë devizë jetësore ose emri e mbiemri i mbajtësit të stemës. Shiriti nuk ka qenë pjesë e detyrueshme e stemës. Sipas rregullave heraldike shiriti duhej të kishte ngjyrë të njëjtë si edhe mburoja.[15] Te stemat shqiptare ka shirita të shumëllojshëm, e pikërisht:Stemat 4

 

Gjithë kjo dëshmon se stemat shqiptare i kanë pasur të gjitha elementet dhe se janë vizatuar sipas rregullave heraldike e në bazë të disa emblemave të njohura dhe sipas traditës të shfrytëzuara edhe prej fisnikërisë shqiptare. Si përfundim mund të themi se, megjithëse në shekujt e mesjetës në Shqipëri nuk ka pasur feudalizëm të zhvilluar fuqishëm, si në Evropën Perëndimore, me turnirë, me heraldë, me kalorës e riterë, për shkak se kjo nuk ka qenë karakteristike e feudalizmit turk, kurse feudalizmi para turqve nuk ka pasur vrull të madh, prapëseprapë feudalizmi shqiptar la shenja në burimet heraldike për të cilat u bë fjalë në këtë studim.

FUND

Aleksandar Matkovski

 BLASONS ALBANAIS DANS LE PASSE

L’auteur e divise son article en trios grands chapitres. Le premier chapitre a pour titre : « Les peuples balkaniques, avaient-ils des blasons d’Etat ou de pays jusqu’à l’arrivée des Turcs ? » Ici l’auteur démontre que le peuples balkaniques ne possédaient pas des traditions héraldiques assez importantes jusqu’à l’arrivée des Turcs.


[1] Bartol Zmajić, Razvitak heraldike u banskoj Hrvatskoj. Vjesnik hrvatskog državnog arhiva, 1. XI. Zagreb 1945, 54.

[2] L. Čurčić, Grbovnik grofa Ladislava Festetića u rukopisnom odeljenju Matice srpske. “Zbornik za društvene nauke”, 29. Novi Sad 1961, 118-121

[3] Žefarović, Stematografija, Novi Sad.

[4] Solovjev, Les amblemes heraldiques de Byzance et les Slaves.Seminarium Kondakovianum VII. Institut Kondakov, Praha, 1935, 119’164.

[5] Solovjev, Istorija srpskog grba, 143

[6] Po aty, 143.

[7] Du Cange, Historia byzantine,  350. Solovjev, Istorija srpskog grba, 145.

[8] Mirković, v.c. 23.

[9] Solovjev, O opstanku srpskog grba. Poseban otisak iz Šišićevog zbornika. Zagreb 1929, 547.

[10] Solovjev, Istorija srpskog grba, 139. Novaković v.c. 42.

[11] Novaković, v.c. 7.

[12] Aрсеньевъ, v.c. 209.

[13] Kamenčeva, v.c. 58.

[14] Aрсеньевъ, v.c. 232-234.

[15] Kamenčeva, v.c. 61.

Lajme të ngjashme

Back to top button