PONEROLOGJI POLITIKE

Termi ponerologji, i përdorur në sferën studimeve interdisiplinare (psiko-patologji, sociologji, filozofi, politologji dhe histori), është shpikur nga psikiatri polak Andrzej Łobaczewski dhe ka të bëjë me shkaqet e padrejtësive sociale dhe të dukurive si luftërat, pastrimet etnike, regjimet policore etj. Sipas tij, burimi ultimativ i të keqes janë dy faktorë njerëzorë: injoranca dhe dobësia e natyrshme dhe hiperaktivizmi i një grupi devijant që statistikisht është i paktë (4-8%) por me influencë socialë dërrmuese.  Ponerologjia është derivat nga një degë teologjike që merret me studimin e të keqes (gr. poneros: e keqja), këtij agjensi që e kemi me bollëk këtu tek ne në Ballkan dhe në vendin tonë, të cilin qeveria, tanimë në gjendje knock downi, e reklamon si “Djep të Qytetërimit” (craddle of civilization)!

Sot, në këtë hapësirë jetike a “vilajet të tmerrit” të quajtur shkurt RM po ballafaqohemi me një kundërkulturë politike që dita ditës po e batis popullin, shoqërinë dhe vendin thellë e më thellë. Mjerim ekonomik, investime irracionale, nacionalizëm etatist, teokraci shekullare, okupim medial, migrim rinor, krizë arsimore, krizë politike, krizë morale, tranzicion i pafundmë, pushtet i “bombarduar”, grigjë e hutuar, ndërkombëtarë të zgjuar!

Nëse bëjmë një analizë të përmbajtjes të diskursit të politikanëve nga rasti “Zaev” konstatojmë se bëhet fjalë për një bizaritet shprehjesh, për një kalbëzim etik, për një tradhti eklatante ndaj votës së qytetarit, për një marri e marrëzi marramendëse. Barok-burek demokracia përfshin popagandën  à la MRT, hakmarrjet me kokë pranë tualetit, nënësharjet, manipulimet zgjedhore, mafiozë-prefektët, bukë-çokolladë-skulpturat, maqedo-shqiptarët e përqeshur dhe nënçmuar të Prespës, intra-votuesit 150:40m², racizmat antishqiptarë dhe antiromë, llatas-milenkoperversizmi i politikëndërhyrës, kërcënimet hendeksynuese, shantazhet ndaj mësimdhënësve, rrënimet hakmarrëse skandaloze, dinamitet kryeministrore, milion-malverzimet me fantom-dokumentarët, gjyqësinë e dirigjuar, talljet e paskrupullta me korin diplomatik… E gjithë kjo sërë e “mëkateve qeveritare” kompromentojnë dhe delegjitimojnë politikën aktuale në Republikën e Maqedonisë. Gafet e fundit, fyerja e ambasadorit të BE-së, shitja mend eurodeputetëve dhe tallja me diplomatët  përbën firmë për heqje të kabllos nga priza të kësaj qeverie në “eutanazi”. Bagazhi politik i ditëve tona sterrë i zi pra. Tani e tutje, të gjithë politikanët e ardhshëm do ta kenë shumë më të rëndë punën, do kenë mbi shpinë barrën e mosbesimit të përgatitur në kuzhinën e të pashpirtëve, të këtyre ngelësave spektakolarë që dallohen me pafytyrësi organike. (Rama)

Në kushte normale dhe në një shtet normal, pas gjithë këtyre regjistrimeve të shfaqura, duheshte qëmoti të jepeshin dorëheqjet një nga një. Nuk di si vënë kokën mbi jastëk e flejnë rehat njerëzit që janë katandisur si më keq moralisht. Nuk pyesin veten si erdhëm në këtë derexhe, si “sharruam” kaq keq, po pyesin si u arrit deri te audio-regjistrimet me “ligjëratën banale e denigruese”. Pyetja më logjike që u shtrohet partnerëve të koalicionit është si vijon: Nëse një ortak në një biznes kapet pisk në ndonjë punë të fëlliqur, tradhton ortakërinë, açëk ia heq rërën nën këmbë kompanisë, e shet atë pa dijen tonë, si do të kishim vepruar? Do ta kishim prishur lidhjen me të me siguri, apo jo? Çka pritni, s’mjaftojnë këto prova? Vërtet kemi të bëjmë me një vesokraci, me një gjendje ku cenet kanë përparësi, ku virtytet janë terra incognita për politikëbërësit. Etikokracia e S. Pëllumbit është një emër fiktiv për ta.

E falënderojmë të Madhin që na ka dhënë aftësi të leximit të gjendjeve dhe ta themi hapur të vërtetën. Që në vitin 2011 në  shkrimet tona akademike kemi pohuar se në Maqedoni po ushtrohet një formë e bastarduar e demokracisë, demokracia iliberale (“Revival-macedonizmi dhe demokracia iliberale kundër multikulturalizmit”), të cilës një pjesë e mirë e redaktorëve ia fshinin i-në (e “liberalizonin”), meqë ishin mësuar vetëm me demokraci liberale.  Në një shkrim të vitit të kaluar shënuam se jetojmë nën shtratin prokrustian të partitokracisë, se “ligjërata politike e VMRO-së është një ligjëratë e partisë së një shteti njëpartiak“, se „një parti politike dominon procesin politik, duke anashkaluar qytetarët  ose politikanët e partitë tjera”. („Partitokracia: VMROland“).

Në Japoni menaxheri i hekurudhës kishte bërë vetëvrasje për shkak të vonimit të trenit për disa sekonda, ndërsa këtu tek ne shoqëria na vonohet me dekada dhe asgjë! Politikë se jo mahi! Politikanë se ç’ke me ta. Se në çfarë gjendjeje na kanë prurë dhe ç’reagime instinktive tërheqin do ta ilustrojmë me do porosi nga grafitti subkultura: „Asnjëherë s’të harroj, vetëm hiqmu qafe të lutem!”, “Tallava 25 vjet!” “Error 404: Stability not found!” “12:44 Time is up, government go home!”, “Broken promises/Falsa Promesas”, “Diktator antikë për shitje!”

Për në fund dy gjëra. Një pyetje për politikanët: A ka në mesin tuaj ponerologë? Dhe, një porosi me fjalët shqip të një artisti të huaj: “Ju shuam dumë!”

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button