Juratoviq: Në Maqedoni nuk funksionon sistemi demokratik, situata nuk është e ndritur

Josip Juratoviq, deputet i Bundestagut dhe raportues për Ballkanin Perëndimor ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Gruevski se zyrtarët e lartë evropianë janë të painformuar për situatën aktuale në vend. Sipas deputetit Juratoviq, situata në Maqedoni nuk është e ndritur dhe se sistemi demokratik nuk funksionin ashtu siç duhet.

“Nëse zoti Gruevski reagon ashtu, edhe unë ashtu do reagoj, si mund ndryshe të reagoj. Situata është e qartë. Shumë kolegë të mi e kanë të qartë situatën. Në fund të fundit me vet faktin që parlamenti nuk funksionon, opozita është jashtë, thjeshtë nuk funksionon sistemi ashtu si duhet të funksionojë një sistem bashkëkohor demokratik. Pasi roli im është raportues për Ballkanin dhe sa kam mundur unë të vëzhgoj dhe në bisedat me njerëz të ndryshëm, përshtypja është se situata nuk është e ndritur”, deklaroi Josip Juratoviq, raportues për Ballkanin Perëndimor.

“Personi me siguri nuk është i informuar sa duhet dhe jep qëndrim politik pa i poseduar të gjitha informatat. Kuptohet që përgjimet janë ilegale, këto që i prezanton Zoran Zaevi”, u shpreh ditë më parë Nikolla Gruevski, Kryeministër.

Sa i përket zgjidhjes së situatës Juratoviq përsëriti qëndrimin se duhet të përfshihen ekspertë të jashtëm që nuk janë pjesë e problemit dhe kjo duhet të bëhet me kërkesë të palëve nga Maqedonia pasi Brukseli nuk mund të imponohet vetvetiu. Kjo do të jetë pozitive si për Gruevskin ashtu dhe për Zaevin, thekson Juratoviq në intervistën dhënë Nova TV-së. Ai thekson se në rastin”Puçi’ duhet të ketë hetim neutral dhe se Gruevski nuk ka nevojë të garantoj proces transparent gjyqësor nëse ka gjyqësor të pavarur. Deklaratën e tillë të Gruevskit, Juratoviq e quajti absurde.

“Gruevski, si përfaqësues i qeverisë nuk mund të flasë se do të garantojë çfarëdo vetëm nëse në Maqedoni ka mbretëri atëherë unë jam i painformuar. Nëse padia është e arsyeshme dhe ka gjyqësor të pavarur atëherë Gruevski nuk ka pse të garantoj proces transparent gjyqësor. Kështu e kuptoj unë demokracinë, ndoshta në Maqedoni keni rregulla të tjera loje sa i përket demokracisë”, deklaroi Josip Juratoviq, raportues për Ballkanin Perëndimor.

Ditë më parë, krerët e Brukselit dhanë apelin se Maqedonia jo vetëm që është zhytur në destabilitet, por BE-ja, para se të ofrojë ndihmën, duhet të marrë garancinë se Maqedonia do t’i rikthehet standardeve evropiane. /alsat-m

Lajme të ngjashme

Back to top button