Agani: “Ligji për Ezanin” nuk do të nxisë më reagime (Video)

Në gjithë territorin e Kosovës janë paraqitur 150 mijë ndërtime pa leje, ka bërë të ditur ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, në një intervistë për “Ekonomia Online”.

Regjistri shtetëror i ndërtimeve pa leje do të publikohet më 11 mars e më pas fillon shqyrtimi i aplikacioneve. Në shtator fillon legalizimi i ndërtimeve që i plotësojnë kushtet.

Në këtë intervistë, Agani flet për Projektligjin për Mbrojtje nga Zhurma, i cili kishte nxitur reagimin, mes tjerash, edhe të Partisë së Drejtësisë që ai e drejton, për shkak të cilësimit si zhurmë edhe të “ezanit”. Agani konsideron se projektligji i kaluar kishte lënë hapësirë për keqinterpretime dhe ato ishin shfrytëzuar për qëllime politike.

Projektligji tashmë është kthyer për plotësim ndërsa siguron se projektligji i ri “nuk do të nxisë debate të panevojshme”.

Një synim i Aganit është ngritja e një fondi për subvencione dhe grante, i cili do të mbushet me mjete financiare të grumbulluara nga taksa e mjedisit, me rastin e regjistrimit të automjeteve. Me ato mjete thotë se do të mbështesë projektet e OJQ-ve të shumta që merren me mbrojtjen e mjedisit.

Lidhur me parkun nacional të Prevallës, ku ka pasur probleme me ndërtime pa leje, Agani thotë se do të vazhdojë rrënimet që i kishte nisur ministri i kaluar; tashmë është riaktivizuar Task Forca, e cila do të shqyrtojë dhe ekzekutojë lëndët gjyqësore që kanë të bëjnë me rrënim. /Ekonomia Online/

Lajme të ngjashme

Back to top button