Vullnet i mirë, dëshirë e madhe, por pak para për investim!

A paralajmëron saldoja prej 105 milion eurosh, invetime të drejtpërdrejta të huaja në pesë muajt e parë të këtij viti përmirësim të pozitës investuese të Maqedonisë? Sipas të dhënave nga Raporti vjetor i Konferencës për zhvillim të Kombeve të Bashkuara, Maqedonia është në vendin e fundit për nga investimet e huaja për vitin 2012 nga vendet e rajonit. Raporti tregon se në vend të parë në rajon sipas investimeve të huaja është Kroacia, ku në vitin 2012 janë investuar 1,25 miliardë dollarë, ndërsa në vendin e fundit është Maqedonia ku në atë vit kanë hyrë 135 milionë dollarë ose pothuajse dhjetë herë më pak se sa investimet e drejtpërdrejta të huaja në Kroaci.

Në një vit kur kriza vazhdon, të hyrta nga tatimet janë nën nivelin e planifikuar, ndërsa investitorët në vend për investime – në banka morën kredi për pagesën e rrogave – qeveria nuk u dha fund udhëtimeve nëpër botë me arsyetimin se kërkon investitorë.

Ekonomistët nuk shohin optimizëm në numrat e fundit për hyrje të investimeve të drejtpërdrejta të huaja, të cilat në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, janë më të larta për 30 milionë euro.

“Maqedonia nuk është treg interesant dhe atraktiv për investim, investitorët i intereson se sa do të jetë fitimi i tyre. Konsideroj se shteti duhet të ketë strategji se si t’i tërheqë mërgimtarët të investojnë në vend, t’u ofrojë benificione  dhe kushte të volitshme që t’i motivojë që paratë e tyre t’i investojnë në Maqedoni. Tani për tani, sipas pozitës së vendit në suaza ndërkombëtare, investitorët e huaj  nuk shohin ndonjë interes të theksuar për të investuar këtu”, sqaron për “Portalb”-in, profesori universitar, Seadin Xhaferi.

Analiza e dinamikës së investimeve të drejtpërdrejta të huaja tregon se më së shumti investime të huaja ose 35,4 milionë euro kanë hyrë në janar, ndërsa në prill është regjistrua edhe largim i investimeve të huaja prej përafërsisht 3 milionë eurosh.

Vlera e investimeve të drejtpërdrejta të huaja:
2007                506,0 milionë euro
2008                399,9 milionë euro
2009                 145,0 milionë euro
2010                 159,1 milionë euro
2011                 303,5 milionë euro
2012                104,6 milionë euro
2013 (I-V)        105,4 milionë euro

Këtë vit, ekipe të qeverisë ishin për vizitë në destinacione të reja si dhe në disa destinacione që janë vizituar edhe më parë, ku i prezantuan mundësitë për investim në Maqedoni. “Portalb”-i ka bërë një përmbledhje të “road-show”-ave që janë realizuar gjatë këtij viti: 

– Vizitë në Londër, Britani, janë realizuar disa takime bilaterale me kompani të interesuara.

– Vizitë në Azinë Juglindore, prej ku erdhi paralajmërimi se biznesmenët indonezianë janë të interesuar për të investuar në Maqedoni. Pritet vizita e tyre në tetor.

– Vizitë në Shqipëri. Është mbajtur forumi afarist dhe investues maqedono-shqiptar. Janë prezantuar potencialet investuese dhe eksportuese të Maqedonisë.

– Vizitë në Hamburg, Gjermani. Investitorët gjermanë kanë qenë të kënaqur me stabilitetin monetar dhe ekonomik të Maqedonisë.

– Vizitë në Pariz, Francë?. Ekipi qeveritar i ka prezantuar potencialet investuese të vendit, ndërsa biznesmenët francezë i kanë prezantuar përvojat e tyre të deritanishme për investim në Maqedoni.

– Vizitë në Lituani. Është shprehur interes për investim dhe bashkëpunim me vendin tonë.

– Vizitë në Kinë. Investitorët kinezë kanë shfaqur interes për investim në infrastrukturë, patundshmëri dhe turizëm.

Në agjendë ishin edhe Turqia, Estonia, Rusia, Malezia, Kanadaja, Austria, Hungaria, Kazakistani, Ukraina, Polonia, Brazili, Argjentina, Azerbejxhani, Katari.

Shumë benificione – pak efekte
Zona pa dogana, kontribute të paguara për punëtorët, lehtësime tatimore. Në përpjekje për t’i tërhequr investitorët qeveria ofron një sërë kushtesh të volitshme. Janë cilat janë përparësitë për investitorët e huaj:

– lirim nga pagimi i TVSH-së
– lirim nga pagimi i Tatimit personal (për periudhë prej 10 vitesh)
– lirim nga pagimi Tatimit në fitim (për periudhë prej 10 vitesh)
– lirim nga pagimi i doganave dhe të dhënave të tjera.

Sipas ekonomistëve, as këto benificione nuk mund të gjenerojnë një proces më serioz investues, në një situatë kur vendi që gjendet para dyerve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ballafaqohet me paqartësi ekonomike dhe politike. 

“Çështja se pse saldoja e investimeve të huaja nuk është në nivel të kënaqshëm edhe përkundër asaj se vendi ofron një sërë benificionesh është shumë e ndërlikuar. Nuk është puna që vetëm të ndërtohet ndonjë repart në Zonat e lira ekonomike, por investitori duhet të funksionojë dhe të krijojë profit.

Konsideroj se një pjesë e investitorëve eksperimentojnë, vijnë e pastaj shkojnë. Askush nuk dëshiron t’u ekspozohet rreziqeve”, sqaron profesori universitar, Seadin Xhaferi.

Ai konsideron se shkaku për një qëndrim të këtillë të investitorëve duhet të kërkohet në vazhdimësinë e ligjeve, të cilat, sipas tij, janë shkruar në letër, por nuk zbatohen në praktikë.

“Sa i përket rregullativës ligjore dhe harmonizimit të saj me atë evropiane, Maqedonia udhëheq në Ballkan. Por, ato zgjidhje ligjore janë shënuar veëtm në letë, ndërsa në praktikë mungon realizimi i tyre”, thotë profesori Xhaferi.

Sipas tij, dalja nga kjo situatë nuk duhet të kërkohet vetëm te investitorët e huaj, por edhe te ata të brendshëm.

“Nëse nuk gjendet dalje dhe zgjidhje për zvogëlimin e papunësisë, edhe më tutje do të jetë shumë vështirë. Kriza vazhdon të ndjehet edhe më tej. Tani qeveria do të duhet të bëjë edhe një rebalanc të domosdoshëm të buxhetit, për shkak se të hyrat nga qytetarët dhe bizneset nuk janë të atilla siç ka paraparë”, vlerëson profesori.

Është e vërtetë se kriza ka ndikuar dhe i ka dekurajuar investitorët e huaj. Ekonomistët nuk presin përsëritje të viteve me investime të larta, siç ishin 2007-a dhe 2008-a, periudhë kjo kur kishte optimizëm për kyçje të Maqedonisë në integrimet euroatlantike.

Aneta Dodevska, Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button